Goditja e mafias në Europë, 30 të arrestuar për bankën okulte dhe pastrimin e 68 milionë eurove

Botë | 1 orë më parë

Një rrjet financiar i dyshuar në shërbim të organizatave mafioze, që dyshohet se ka qarkulluar miliona euro përmes faturave fiktive dhe kriptomonedhave, është goditur nga autoritetet italiane në një operacion të shtrirë në Itali, Spanjë dhe Zvicër. Në kuadër të hetimit janë lëshuar masa sigurie për 30 persona, ndërsa janë sekuestruar pasuri me vlerë mbi 21 milionë euro.

Operacioni u zhvillua nga Guardia di Finanza e Milanos dhe Monza-Brianza, nën koordinimin e Drejtorisë së Antimafias pranë Prokurorisë së Milanos. Sipas hetuesve, në rrjet dyshohet se janë përfshirë persona të lidhur me tri organizata kriminale: ’Ndrangheta-n, Camorra-n dhe të ashtuquajturën “Mafia e Katërt”, që i referohet krimit të organizuar në zonën e Foggias.

Hetimi ka zbuluar një sistem të mirëorganizuar, të cilin autoritetet e kanë cilësuar si një “bankë të fshehtë” të krimit të organizuar, e përdorur për lëvizjen e parave dhe pastrimin e të ardhurave të paligjshme në nivel ndërkombëtar.

Mbi 110 milionë euro fatura fiktive
Sipas të dhënave të hetimit, rrjeti dyshohet se ka krijuar fatura fiktive me vlerë mbi 110 milionë euro. Paralelisht, janë identifikuar operacione të dyshuara të pastrimit ndërkombëtar të parave në vlerën e 68 milionë eurove, të kryera përmes kriptomonedhave.

Organizata dyshohet se ishte e përfshirë edhe në mashtrime fiskale, vepra penale që lidhen me falimentimin, trafik droge dhe shkelje të legjislacionit për armët. Hetuesit dyshojnë se aktiviteti financiar shërbente për të lehtësuar qarkullimin dhe riciklimin e parave të lidhura me grupet mafioze.

Nga 30 personat ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurie, 16 janë lënë në burg, ndërsa 14 të tjerë janë vendosur në arrest shtëpie. Veprimet policore janë shtrirë përtej Italisë, me ndërhyrje edhe në Spanjë dhe Zvicër.

Në operacion janë angazhuar më shumë se 350 efektivë të Guardia di Finanza-s, me mbështetjen e strukturave të specializuara dhe njësisë I-CAN të Interpolit, e cila merret me bashkëpunimin ndërkombëtar kundër ’Ndrangheta-s.

Krahas masave të sigurisë, autoritetet po ekzekutojnë sekuestrime me vlerë mbi 21 milionë euro. Pasuritë e përfshira në hetim janë para Cash, llogari bankare, kriptomonedha, automjete, mjete lundruese, bizhuteri, ora luksoze dhe makineri për numërimin e parave. Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e dyshuar të rrjetit dhe lidhjet e tij me organizatat kriminale.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme