Shqipëria nis kontingjentin e parë të helikopterëve në misionin KFOR në Kosovë, Nufi: Angazhimi ynë mbetet i palëkundur

Politikë | 1 orë më parë

Kontingjenti i parë i helikopterëve nga Shqipëria do t’i bashkohet misionit të NATO-s, KFOR, në Kosovë.

Në Bazën Ajrore të Farkës është zhvilluar ceremonia e përcjelljes së 13 efektivëve të Forcave të Armatosura, që do të shërbejnë në këtë mision të Aleancës, në bazën ushtarake amerikane “Bondsteel”, duke shënuar një moment të rëndësishëm për Forcën Ajrore dhe zgjerimin e kontributit të Shqipërisë në operacionet ndërkombëtare.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi e cilësoi këtë angazhim si dëshmi të profesionalizmit të ushtarakëve shqiptarë dhe të përgjegjësive që vendi ynë përmbush si aleat i përkushtuar i NATO-s.

“Kontingjenti që përcjellim sot është pjesë e kësaj përpjekjeje. Ai dëshmon se Forca Ajrore po zgjeron rolin e saj dhe se Forcat tona të Armatosura po konsolidojnë kapacitetet për të përmbushur detyra gjithnjë e më të rëndësishme në kuadër të NATO-s. Në këtë kuadër, angazhimi ynë në KFOR mbetet i palëkundur! Dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar që të vijojmë të përmbushim përgjegjësitë tona me seriozitet, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë, në shërbim të sigurisë së përbashkët”, tha ai.

Nufi tha se kontributi i Shqipërisë për sigurinë ndërkombëtare nuk kufizohet vetëm në këtë mision, por ai është pjesë gjithashtu e operacioneve të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin të pranishëm Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji, Komandanti i Forcës Ajrore, Gjeneral Brigade Voci, komandantë dhe drejtues të Forcave të Armatosur, si dhe familjarë të efektivëve që nisen me mision.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme