Policia e Tiranës ndalon 11 persona të tjerë dhe procedon 7 për veprime të kundërligjshme në protestë, mes tyre 2 të mitur

Aktualitet | 1 orë më parë

Policia e Tiranës ka kryer arrestime dhe procedime të reja në vijim të hetimeve për veprimet e kundërligjshme gjatë protestës së zhvilluar në kryeqytet. Nëntë persona të rritur dhe dy të mitur janë arrestuar në flagrancë, ndërsa shtatë të tjerë po procedohen në gjendje të lirë.

Sipas njoftimit të Policisë, veprimet hetimore lidhen me incidentet e regjistruara gjatë tubimit të një dite më parë.

Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 kanë identifikuar dhe ndaluar edhe një 33-vjeçar, me inicialet E. K., i dyshuar për dëmtimin e ambienteve të këtij komisariati gjatë protestës së zhvilluar tri ditë më parë.

Sipas Policisë, gjatë asaj proteste, persona të ndryshëm sulmuan punonjësit e rendit dhe godinën e Komisariatit Nr. 3 me lëndë piroteknike, gurë dhe bomba molotov, duke shkaktuar zjarr dhe dëmtime materiale. Si pasojë, u dëmtuan edhe 10 punonjës policie.

33-vjeçari dyshohet se ka dëmtuar ambientet e komisariatit me sende të forta. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për një sërë veprash penale, mes tyre shkatërrimi i pronës, shkatërrimi i pronës me zjarr, goditjet për shkak të detyrës, organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme, kundërshtimi i punonjësve të Policisë, prishja e qetësisë publike dhe mosbindja ndaj urdhrave të tyre.

Në hetim janë edhe dyshimet për shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse, pengim të qarkullimit të mjeteve, si dhe mbajtje apo prodhim të paligjshëm të armëve dhe municioneve.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme