Trashëgimia e Zadrimës në libër/Botim kushtuar vlerave etnografike dhe kulturore të krahinës
Pasuria historike, etnografike dhe kulturore e Zadrimës është përmbledhur në një libër me autore Liza Brunga dhe Mirela Dragusha. Botimi, i titulluar “Zadrima, krahina e lashtë me vlera e veshje unike”, u promovua pranë muzeut kushtuar kësaj treve në Plezhe, ku të pranishëm ishin shkrimtarë, studiues dhe dashamirës të librit.
Puna për realizimin e këtij botimi nisi dy vite më parë, gjatë përgatitjes së dokumentacionit për vlerësimin e veshjes zadrimore, u shprehën dy autoret e librit, Liza Brunga dhe Mirela Dragusha.
“Vetë libri, të cilin edhe ju do ta shikoni, është i ndarë në dy pjesë. Pjesa ku unë flas për etnografinë ndahet në dy kapituj: pjesa e dijebërjes dhe pjesa tjetër, e cila i kushtohet kryesisht veshjes dhe të gjitha elementeve të saj përbërëse”, u shpreh Liza Brunga, autore e librit.
“Ky libër, ose ky promovim, filloi shumë më herët, pothuajse para dy vitesh, kur unë dhe Mirela krijuam idenë që veshja jonë të merrte një status tjetër. Rastësisht, mësuam se paralelisht ishte krijuar edhe një grup shumë i madh, të cilit iu bashkuam me dashamirësinë më të madhe”, tha Mirela Dragusha, autore e librit.
Ky libër për Zadrimën përbën një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë së kësaj treve.
“Nuk mund të rri pa përmendur dhe pa vlerësuar faktin që sot Bashkia e Vaudës është e pranishme me disa zyra dhe titullarë të tyre këtu. Unë i falënderoj shumë nga ana ime. Kënaqem edhe thjesht duke duartrokitur dhe duke u thënë faleminderit të gjithëve që kanë kontribuar dhe që vazhdojnë të kontribuojnë”, tha Ndoc Shaba.
Përmes dokumentimit të vlerave të Zadrimës, ky botim sjell në vëmendje rëndësinë e kërkimit shkencor dhe të përgjegjësisë institucionale e shoqërore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të kësaj treve.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




