Shqipëria drejt një ligji të unifikuar për investimet, filtra sigurie për kapitalet e huaja dhe rishikim i statusit “strategjik”

Ekonomi | 2 orë më parë

Qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ka përgatitur një projektligj të ri të unifikuar “Për investimet në Republikën e Shqipërisë”. Ky draft synon shkrirjen dhe përditësimin e dy ligjeve ekzistuese—atij të vitit 1993 për investimet e huaja dhe ligjit të vitit 2015 për investimet strategjike. Qëllimi kryesor është krijimi i një klime më të favorshme biznesi, harmonizimi me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe adresimi i boshllëqeve të identifikuara gjatë zbatimit të deritanishëm të këtyre akteve.

Mësimet nga e kaluara dhe dominimi i turizmit

Ligji i ri vjen pas një analize të zbatimit të ligjit të përkohshëm për investimet strategjike, i cili ndonëse solli një arkitekturë të centralizuar përmes Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe Komitetit të Investimeve Strategjike (KIS), tregoi limitet e tij në diversifikimin e ekonomisë dhe mbajtjen e premtimeve nga investitorët.

Nga 54 projekte që përfituan statusin strategjik gjatë periudhës 2016–Maj 2025, plot 42 prej tyre u përqendruan në sektorin e turizmit. Drafti i ri vëren domosdoshmërinë e një kthese politike drejt industrive të tjera. Në të njëjtën kohë, dokumenti zyrtar thekson se lehtësirat e dhëna nuk kanë prodhuar gjithmonë rezultatin e pritur në kohë.

“Miratimi i statusit strategjik dhe parashikimi i treguesve (investim/punësim) nuk garanton automatikisht realizimin, nëse nuk shoqërohet me monitorim sistematik, verifikim të progresit dhe mekanizma korrektues, si revokim statusi, rinegocim kushtesh ose përfundim i mbështetjes kur projekti nuk ecën sipas angazhimeve.”, thuhet në relacionin shoqërues.

Për të shmangur vonesat e krijuara nga Grupet Operacionale ad-hoc, ligji i ri propozon një strukturë të qëndrueshme dhe të specializuar që do të bëjë vlerësimin dhe monitorimin e projekteve.

Garancitë e reja dhe menaxhimi i rrezikut shtetëror

Një tjetër sfidë e trajtuar është ekspozimi i shtetit ndaj risqeve fiskale dhe juridike që vijnë nga masat mbështetëse apo vënia në dispozicion e pronës publike. Relacioni thekson nevojën “që çdo masë mbështetëse të bazohet në kritere të standardizuara, në transparencë më të lartë dhe në vlerësim paraprak të ndikimit (kosto–përfitim, risk fiskal, risk kontraktual).”

Përtej rregullimit të projekteve strategjike, drafti përditëson konceptet bazë të vitit 1993, duke garantuar mbrojtje dhe të drejta të barabarta edhe për investitorët vendas, lirinë e transferimit të fondeve, mbrojtjen nga shpronësimi e konfiskimi, si dhe krijimin e një mekanizmi institucional për zgjidhjen miqësore të mosmarrëveshjeve.

“Filtra sigurie” për kapitalet e huaja

Një risi thelbësore e projektligjit është futja për herë të parë e një mekanizmi shqyrtimi (skriningu) për investimet e huaja direkte (IHD), në përputhje të plotë me Rregulloren e BE-së 2019/452. Ky mekanizëm do të mbrojë interesat e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare nga hyrja e kapitaleve me synime ose origjinë gjeopolitike të dyshimtë.

Drafti parashikon se një organ i posaçëm përgjegjës që “do të ketë tagrin të kërkojë autorizim për investimet e huaja në sektorë strategjikë dhe do të vendosë mbi ndalimin, anulimin ose vendosjen e kushteve” nëse një investim cenon rendin publik dhe sigurinë e Republikës së Shqipërisë.

Projektligji i propozuar nuk parashikohet të sjellë efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme