Egjipti po shqyrton përfshirjen ushtarake në krah të Arabisë Saudite kundër rebelëve Houthi

Egjipti mund të jetë në prag të hyrjes drejtpërdrejt në luftën kundër lëvizjes Houthi në Jemen. Qeveria egjiptiane po shqyrton mundësinë e dërgimit të mbështetjes ushtarake për Arabinë Saudite, e cila gjatë javëve të fundit është përballur me sulme të vazhdueshme raketore dhe me dronë nga grupi i mbështetur nga Irani.
Eskalimi i ri i dhunës pason prishjen e armëpushimit në Jemen gjatë muajit shtator. Që nga ajo periudhë, rebelët Houthi kanë intensifikuar goditjet ndaj infrastrukturës mbretërore saudite, duke përfshirë aeroportet dhe objektet e naftës, çka ka nxitur shqetësime të mëdha për sigurinë rajonale dhe tregjet globale të energjisë.
Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, zhvilloi një vizitë diplomatike në Egjipt për t’i kërkuar zyrtarisht Kajros mbështetje ushtarake mbrojtëse për përballimin e kërcënimeve të sigurisë. Si përgjigje, Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi paraqiti kërkesën për autorizim përpara parlamentit të vendit, ndërsa Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare shprehu gatishmërinë për të mbështetur aleatin e tij saudit. Parlamenti egjiptian po diskuton masat ligjore dhe ushtarake që do t’i japin dritën e gjelbër Presidentit el-Sisi për dislokimin e forcave ushtarake, në rast se Rijadi kërkon zyrtarisht ndërhyrje të drejtpërdrejtë.
Gjendja e sigurisë në Detin e Kuq dhe në ngushticën Bab el-Mandeb përbën një interes jetik kombëtar për Egjiptin, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë në trafikun detar të Kanalit të Suezit. Sulmet e përsëritura të rebelëve Houthi mbi rrugët tregtare dhe territorin saudit kanë shtyrë Kajron zyrtare të konsiderojë ndërhyrjen mbrojtëse si një mjet për të vendosur parandalim strategjik dhe stabilitet në rajon.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




