Danimarka me garanci shtetërore 112.6 milionë dollarë për sistemin mbrojtës të Ukrainës

Europë | 2 orë më parë

Danimarka do të ofrojë një garanci shtetërore për një kredi prej 750 milionë korona daneze (rreth 112.6 milionë dollarë) për degën daneze të prodhuesit ukrainas të dronëve dhe raketave, Fire Point, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar burime nga qeveria daneze.

Sipas qeverisë, garancia shtetërore është parë e nevojshme pasi lufta në Ukrainë e ka pamundësuar kompaninë Fire Point të sigurojë një kredi me kushte standarde tregtare në Danimarkë. Financimi do të kanalizohet nëpërmjet Fundit të Eksportit dhe Investimeve të Danimarkës (EIFO).

Vitin e kaluar, Danimarka njoftoi se kompania ukrainase e mbrojtjes do të nisë prodhimin e karburantit për raketa me rreze të gjatë veprimi në territorin danez.

Ministri danez i Mbrojtjes, Jeppe Bruus, deklaroi se ngritja e kapaciteteve prodhuese jashtë vendit ndihmon Ukrainën të mbrojë zinxhirin e saj të furnizimit nga sulmet ruse. Impianti danez i karburantit të raketave pritet të nisë punën brenda fundit të vitit 2027.

Gjithashtu, Fire Point ka nënshkruar marrëveshje me më shumë se një duzinë kompanish evropiane të mbrojtjes për furnizimin me radarë, sisteme udhëzuese dhe komponentë të tjerë për projektin e mbrojtjes kundëraketore “Freyja”.

Qëllimi kryesor i këtij projekti është t’i ofrojë Ukrainës një alternativë vendase dhe më të arritshme ndaj sistemit amerikan të mbrojtjes ajrore Patriot.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme