Sulm kibernetik ndaj AfD-së, raportimet fillestare tregojnë për mesazhe me përmbajtje raciste, antisemitike dhe elemente të ideologjisë naziste

Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) konfirmoi zyrtarisht se po heton vjedhjen dhe publikimin e mëvonshëm online të mijëra komunikimeve elektronike, të marra nga hakerë të paidentifikuar gjatë një sulmi kibernetik të kryer gjatë muajit shtator.
Ndonëse një pjesë e madhe e informacionit mbetet për t’u verifikuar në mënyrë të pavarur, raportimet fillestare tregojnë se mesazhet përmbajnë referenca me përmbajtje raciste, antisemitike dhe elemente të ideologjisë naziste. Ekspertët parashikojnë se ngjarja mund të shndërrohet në një nga rrjedhjet më të mëdha të të dhënave politike në historinë moderne gjermane.
Sipas sqarimeve nga një zëdhënës i partisë, ndërhyrja kibernetike kishte në shënjestër një kompani ofruese të shërbimeve hosting të përdorur nga AfD. Nga verifikimet e parashikuara, hakerët kanë arritur të kopjojnë të dhëna nga një numër i kufizuar llogarish, kryesisht joaktive.
Lidhur me rrjedhjen e materialeve në rrjet, zëdhënësi zyrtar i AfD-së deklaroi:
“Publikimi i fundit në internet i asaj që supozohet se është një pjesë e këtyre të dhënave është duke u hetuar aktualisht. Një vlerësim paraprak mund të jepet vetëm pasi të përfundojë ky hetim.”
Përmasa e rrjedhjes dhe të dhënat e komprometuara
Ndonëse përfaqësuesit e partisë nuk dhanë një shifër të saktë mbi volumin e materialit të vjedhur, raportimet nga e përditshmja gjermane Bild e vendosin numrin e emaileve të publikuara në më shumë se 420,000 njësi.
Sipas të dhënave të publikuara nga Bild, dokumentet e zbuluara përfshijnë:
- Komunikime me email të figurave kryesore drejtuese, përfshirë bashkëkryetaren Alice Weidel.
- Deklarata dhe pasqyra bankare.
- Certifikata akademike dhe personale.
- Lista zyrtare anëtarësie.
Faqja e internetit që strehonte materialet u nxorr jashtë linje gjatë pasdites të së martës. Megjithatë, variantet e arkivuara treguan se bëhet fjalë për një vëllim prej 281 gigabajt të dhënash, të titulluara “Të dhënat e vetë partisë, të paredaktuara”. Deri më tani, autenticiteti i emaileve dhe dokumenteve shoqëruese nuk është konfirmuar ende në mënyrë të pavarur.
Konteksti politik dhe debati mbi ndalimin e AfD-së
Kjo rrjedhje informacioni vjen në një moment mjaft specifik politik për Gjermaninë. Sa i përket statusit ligjor, disa degë rajonale të AfD-së janë klasifikuar zyrtarisht si “ekstremiste e krahut të djathtë e konfirmuar” nga agjencitë e mbrojtjes kushtetuese dhe inteligjencës së brendshme gjermane.
Pavarësisht këtij klasifikimi, partia ka shënuar rritje në sondazhet e opinionit publik në shkallë kombëtare, si dhe ka korrur përparime në zgjedhjet e fundit parlamentare lokale. Zhvillimet kanë nxitur reagime nga politikanë dhe grupe të shoqërisë civile, të cilët kanë kërkuar nisjen e procedurave për ndalimin e aktivitetit të saj me argumentin se përbën kërcënim për rendin demokratik—akuzë kjo që është hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga drejtuesit e AfD-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



