Witkoff: Bisedimet trilaterale SHBA-Rusi-Ukrainë do të vazhdojnë në nivel teknik

I dërguari i posaçëm i Presidentit të SHBA-së, Steve Witkoff, deklaroi se bisedimet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës do të vazhdojnë në nivel teknik në një format trilateral.
Ai i bëri këto komente përmes një postimi në platformën X të mërkurën në mbrëmje, më 21 tetor.
“Në Oslo dhe Shën Petërburg, Jared Kushner dhe unë u takuam me udhëheqës ukrainas, rusë dhe evropianë për të çuar përpara misionin e Presidentit Trump për përfundimin e luftës. Në Shën Petërburg, u takuam me Putinin për të ndërtuar mbi progresin e arritur në Oslo gjatë takimit tonë me Presidentin Zelenskyy, për të diskutuar kornizën e paqes, si dhe për ta falënderuar atë për lirimin e qytetarit amerikan Stephen Hubbard, i cili do të mund të kthehet pranë familjes së tij. Këto diskutime ishin konstruktive; ato do të vazhdojnë si bisedime trilaterale ndërmjet Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Ukrainës në nivel teknik”, u shpreh Witkoff.
Ai nënvizoi se, megjithëse mbetet ende shumë punë e rëndësishme për t’u bërë, “Presidenti Trump mbetet i përkushtuar për t’i dhënë fund kësaj lufe dhe për të arritur një paqe të gjithanshme dhe afatgjatë që do të garantojë siguri dhe prosperitet për gjeneratat e ardhshme.”
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, zhvilloi bisedime në Oslo më 20 tetor me të dërguarin e posaçëm amerikan Steve Witkoff. Në këtë takim morën pjesë gjithashtu Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, dhe Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb.
Të mërkurën, më 21 tetor, Witkoff u takua me Putinin në Shën Petërburg. Takimi i tyre zgjati rreth tri orë, ndërsa nga Kregmlini është sinjalizuar se bisedimet trilaterale mund të rihapen gjatë muajit nëntor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



