Shqipëria miraton në parim marrëveshjen me Bordin e Paqes për dërgimin e trupave ushtarake në Gaza

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, ka miratuar në parim marrëveshjen ndërkombëtare me Bordin e Paqes për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura Shqiptare në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Rripin e Gazës.
Vendimi mbështetet në Kushtetutë, në legjislacionin për marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe në kuadrin ligjor për dërgimin e forcave ushtarake jashtë territorit të Shqipërisë.
Baza ligjore dhe kuadri ndërkombëtar
Ky akt normativ pason hapat e mëparshëm institucionalë e parlamentarë të ndërmarrë nga autoritetet shqiptare për përfshirjen në këtë mision ndërkombëtar të paqes.
Procesi mbështetet specifikisht në dy akte ligjore bazë të miratuara përgjatë vitit 2026.
Ky vendim bazohet te “ligji nr.1/2026, ‘Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes’, dhe ligji nr.98/2026, ‘Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit në Gaza’.”
Vendimmarrja dhe hyrja në fuqi
Përmes këtij vendimi, ekzekutivi ka miratuar zyrtarisht në parim tekstin e marrëveshjes që rregullon modalitetet administrative, teknike dhe operacionale të pjesëmarrjes ushtarake shqiptare brenda strukturave të Bordit të Paqes. Vendimi i Këshillit të Ministrave hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit zyrtar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




