Kurti merr pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit në Mal të Zi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë këtë të enjte (22 tetor) në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, që zhvillohet në Miloçer të Budvës, në Mal të Zi. Takimi shënon përmbylljen e kryesimit malazez të këtij procesi dhe do të mbledhë liderët e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve ndërkombëtare.
Në samit, sipas RTK-së, pritet të marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq. E pranishme do të jetë edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Bashkëpunimi rajonal, zbatimi i marrëveshjeve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe avancimi i procesit të integrimit në Bashkimin Evropian pritet të jenë në qendër të diskutimeve.
Pjesëmarrja e Kurtit vjen në një kohë kur Kosova kërkon përparim në procesin e integrimit evropian, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Një ditë para samitit, Kurti u takua me komisioneren Marta Kos në Shën Stefan të Malit të Zi. Gjatë takimit, palët diskutuan për reformat, integrimin evropian të Kosovës dhe nevojën që përparimi demokratik i vendit të shoqërohet me vendime konkrete nga institucionet evropiane.
Pas takimit, kryeministri i Kosovës theksoi rëndësinë e funksionimit të plotë të institucioneve për përshpejtimin e reformave. Ai foli gjithashtu për përfitimet që pritet të sjellë integrimi në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke vlerësuar se qytetarët, bizneset dhe diaspora do të kursejnë rreth 58 milionë euro në vit.
Në kuadër të diskutimeve për Procesin e Berlinit, Kurti ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet vendeve të rajonit. Në veçanti, ai ka vënë në dukje marrëveshjen për njohjen e diplomave, për të cilën ka theksuar se duhet të zbatohet nga të gjitha palët, përfshirë Serbinë. Sipas agjendës paraprake, mbërritja zyrtare e liderëve dhe deklaratat për media janë parashikuar të nisin në orën 09:30, ndërsa Samiti i Liderëve pritet të fillojë në orën 10:20.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




