Muzika dhe mirëqenia e fëmijëve/Psikologët vlerësojnë ndikimin e muzikës në zhvillimin emocional të fëmijëve

Sociale | 2 orë më parë

Muzika ndikon në gjendjen emocionale dhe mirëqenien psikologjike të fëmijëve, duke ndihmuar në uljen e stresit, përmirësimin e humorit dhe nisjen e ditës me më shumë pozitivitet.

Sipas psikologëve, dëgjimi i muzikës ndikon në aktivitetin e trurit dhe motivimin, duke u dhënë fëmijëve qetësi dhe energji për aktivitetet e përditshme.

“Te fëmijët e vegjël, muzika ndikon shpesh edhe te stimujt që ata marrin gjatë ditës, duke u dhënë një ritëm dhe duke i ndihmuar të gjejnë qetësi dhe energji për ta nisur ditën më pozitivisht dhe për t’u angazhuar në aktivitetet e tjera që i presin. Gjithmonë këshillohet që fëmija ta nisë ditën me muzikë”, u shpreh sociologia, Maria Dojçe.

Në shkollat shqiptare, muzika trajtohet kryesisht në aspektin artistik, përmes njohjes me notat dhe instrumentet muzikore, ndërsa ndikimi i saj psikologjik dhe social nuk përfshihet në mënyrë të veçantë në kurrikulë.

“Në kurrikulat e shkollave tona, muzika është një lëndë më vete, por trajtohet kryesisht në aspektin muzikor, ku fëmijët njihen me notat dhe pentagramin. Megjithatë, ajo nuk trajtohet në aspektin psikosocial, pra si një lëndë që përfshin edhe studimin e thelluar të ndikimit të notave muzikore te individi”, tha ajo.

Ekspertët vlerësojnë se përdorimi i muzikës në familje dhe në shkollë mund të ndihmojë në krijimin e një mjedisi më të qetë e pozitiv për zhvillimin emocional të fëmijëve.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme