Rehabilitimi i pyjeve të djegura/ADZM Shkodër, më emergjente ndërhyrja në parkun e Munellës

Sociale | 2 orë më parë

Rastet e zjarreve në zonat e mbrojtura të qarkut Shkodër gjatë verës së këtij viti kanë qenë më të pakta krahasuar me vitet e mëparshme. Megjithatë, dëmet e akumuluara ndër vite në masivet pyjore mbeten të konsiderueshme, veçanërisht në Parkun Natyror të Munellës, në territorin e bashkisë së Pukës. Rehabilitimi i këtyre sipërfaqeve të dëmtuara sipas drejtuesve të ADZM Shkodër është një nga prioritetet për periudhën e vjeshtës dhe dimrit.

“Fatmirësisht, këtë vit dëmet kanë qenë më të vogla krahasuar me vitet e tjera. Situata ndoshta më delikate dhe më urgjente është në Parkun Natyror të Munellës. Duke pasur parasysh edhe vatrat e zjarrit që kanë rënë këtë vit, ne do të marrim masa hap pas hapi për të bërë ripyllëzimin e këtyre sipërfaqeve”, u shpreh Tonin Macaj, Përgjegjës i Shërbimit të Menaxhimit, ADZM Shkodër.

Sipas specialistëve të ADZM Shkodër, projektet për rehabilitim e sipërfaqeve pyjore të dëmtuara përfshijnë mbi 600 hektarë, pjesa më e madhe e të cilave në Parkun Natyror të Munellës.

“Ne kemi hartuar një plan-projekt që përfshin rreth 650 hektarë. Gjithsesi, do të fillojmë me sipërfaqe të kufizuara, pasi ndërhyrja në të gjithë këtë sipërfaqe do të kishte një kosto shumë të lartë. Në zonat më problematike do të ketë ndërhyrje të paktën gjatë kësaj vjeshte dhe në pranverën e hershme”, tha ai.

Zjarret e përsëritura ndër vite, por edhe prerjet pa kriter, kanë lënë sipërfaqe të gjera të zonave të mbrojtura në veri të vendit pa mbulesën e tyre të gjelbër. Përveç humbjes së biodiversitetit, këto dëmtime rrisin ekspozimin e terreneve ndaj erozionit dhe rrëshqitjeve të dherave, duke e bërë rehabilitimin e pyjeve një ndërhyrje të rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme