Kaos në Kuvend, Berisha: PD në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve

Politikë | 1 orë më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për mediat pas përfundimit të punimeve të Kuvendit, të shoqëruara me kaos dhe tensione. Berisha e cilësoi Kuvendin si “parlamentin e krimit”, duke deklaruar se Shqipëria ndodhet në negociata për integrimin në Bashkimin Europian, çka, sipas tij, e bën edhe më të rëndë situatën politike në vend.

“Ky është parlamenti i krimit. Fakti që Shqipëria është në negociata për integrim në BE, në vlerësimin dhe mendimin tim, e bën disa herë më të rëndë këtë fakt, këtë zhvillim, këtë proces”, u shpreh Berisha.

Kreu i demokratëve kërkoi gjithashtu përfundimin e sistemit aktual, të cilin e cilësoi si “narko diktatura e vetme në Europë”. Berisha u ndal edhe te qëndrimi i deputetëve të opozitës gjatë seancës parlamentare, duke thënë se ata bënë gjithçka për të sjellë në Kuvend zërin e studentëve dhe gjimnazistëve.

“Ky sistem duhet të marrë fund sa më parë që shqiptarët të çlirohen nga narko diktatura e vetme në Europë. Sot deputetët e opozitës bënë gjithçka që të sillnin në parlament zërin e studentëve, gjimnazistëve, të cilët, siç i shihni ju, janë trima me fletë”, tha Berisha.

Ai vlerësoi guximin e të rinjve, duke përmendur edhe protestat e zhvilluara në bulevardin e Tiranës dhe në rrugët e kryeqytetit.

“S’ka parë bulevardi i Tiranës dhe rrugët e saj vajza e djem më trima se këta gjimnazistë e studentë”, u shpreh kryedemokrati.

Në përfundim, Berisha siguroi se Partia Demokratike do të vijojë të mbështesë dhe të mbrojë studentët dhe gjimnazistët. “PD qëndron totalisht në mbështetje e mbrojtje të tyre”, përfundoi Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme