Protestat e dhunshme në Tiranë, Rama: Policia ishte në lartësinë e detyrës, studentët e vërtetë nuk përdorin dhunë

Politikë | 1 orë më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar në Tiranë, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, janë pasqyruar ngjarjet dhe përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.

Sipas Ramës, Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e detyrës dhe nuk e ka lejuar dhunën e ushtruar ndaj efektivëve ta largojë nga misioni i saj. Ai argumentoi se bilanci i të plagosurve dhe të lënduarve në Tiranë është i ndryshëm nga ai i protestave në vende të tjera europiane.

Në reagimin e tij, Rama kritikoi gjithashtu raportimin nga protesta dhe emisionet televizive, duke pretenduar se ato kanë krijuar imazhin e një revolte studentore, ndërsa pjesëmarrjen në protestë e vlerësoi në rreth 1500 persona në momentin e saj kulmor.

“Ja PASQYRA E TURPIT të ekraneve televizive, ku “studentët” u bënë viktimat e një dhune shtazarake dhe Policia e Shtetit u bë monstra mizore që masakronte orë e minutë të reja e të rinj të pafajshëm

Shikojeni raportin mes policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar në vendet e tjera demokratike, ku flama e terrorit të ANTIFA-s po djeg e shkatërron në qytetet e Europës:

Kudo ka shumë më tepër protestues të lënduar se sa policë të plagosur, siç është krejt normale të ketë, ndërsa në Tiranë bilanci është i përmbysur.

Sepse në realitet, Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e detyrës, duke mos e lënë asnjëherë dhunën e pësuar që ta nxjerrë atë nga binarët e misionit të saj demokratik. Por realiteti i Tiranës është zëvendësuar me një realitet tjetër në ekranet e kësaj flame dhune e terrori psikologjik antishtet.

Që nga lajmet e mëngjesit deri te emisionet e VIP-ave të mbrëmjes, duke kaluar përmes direkteve të mbushura me patetizmat e një revolucioni studentor imagjinar, u heroizua një turmë e larmishme prej 1500 vetësh në kulmin e vet, e cila s’kishte asnjë fije gjë të përbashkët me hallet, problemet, nevojat, dhimbjet e shpresat e studentëve apo familjeve shqiptare, ndërkohë që u shënjestrua me një paturpësi kriminale Policia e Shtetit”, shkruan Rama.

Kryeministri ngriti pikëpyetje edhe mbi përkatësinë e protestuesve, duke paralajmëruar se, sipas tij, në ditët në vijim do të publikohen të dhëna për persona që ai pretendon se nuk kanë lidhje me universitetet dhe jetën studentore.

Rama bëri dallimin mes protestës paqësore dhe akteve të dhunës, duke theksuar se studentët duhet të sfidojnë politikën dhe qeverinë përmes dialogut dhe angazhimit të përbashkët, pa dëmtuar pronën publike apo private.

“Këta të ekraneve, ku pjesa më e madhe jeton me korrupsion, me paga marramendëse, renta javore, reklama instagrami e deri edhe podkaste të ushqyera me para nën dorë, një armatë grabitësish të pensionistëve që deklarojnë pak e fitojnë qamet duke përzier ditë e natë një çorbë të shpifur urrejtjeje, vulgariteti e banaliteti, ndërkohë që gazetarë e kameramanë terreni trajtohen si skllevër për bukën e gojës, janë edhe më fajtorë për ditët e terrorit mbi popullin e Shqipërisë, se sa ata që hedhin qorrazi gurët e dhunës. I vura studentët në thonjëza në krye të fjalëve, sepse shumë shpejt do t’i shikoni me fytyrë e me fakte, plot prej heronjve të maskuar që terrorizuan popullin shqiptar me fantazmën e vitit ‘97 dhe që s’kanë asnjë lidhje me Universitetin e me jetën studentore.

Studentët e vërtetë janë ata që duan ta sfidojnë politikën dhe qeverinë pa ngritur dorën kundër pronës publike e private, po duke treguar me gisht plagët që kërkojnë shërim me dialog dhe angazhim të përbashkët”, shkruan Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme