Kurti kërkon statusin e kandidatit për Kosovën në BE

Kryeministri Albin Kurti, ka kërkuar që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të hapen negociatat për anëtarësim. Deklarata u bë në Budva, në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, ku ai kërkoi mbështetjen e liderëve evropianë për avancimin e Kosovës në rrugën e integrimit. Kurti u shpreh se Kosova i përmbush kriteret demokratike dhe institucionale për të kaluar në një fazë të re të procesit të integrimit evropian, duke përmendur funksionalitetin demokratik, stabilitetin institucional dhe rritjen ekonomike.
“Kosova është një shoqëri liberale dhe barabartë. Kemi funksionalitet demokratik, kemi stabilitet institucional, kemi rritje ekonomike. Tani është koha që vendi ynë të marrë statusin e kandidatit dhe të hapë negociatat për hyrjen në BE. Për këtë do të bëj thirrje sot dhe çdo ditë kundrejt të gjithë liderëve të BE-së që të kërkojnë opinionin nga Komisioni Evropian në lidhje me këtë çështje”, deklaroi Kurti para mediave.
Gjatë deklaratës së tij, kryeministri i Kosovës u ndal edhe te çështja e drejtësisë për krimet e kryera gjatë luftës dhe nevoja për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Kurti kërkoi që të rikthehen në vëmendje zotimet e Samitit të Londrës të vitit 2018, duke theksuar se në Kosovë vazhdojnë të jenë mbi 1,500 persona të pagjetur.
Ai përmendi gjithashtu zhvarrosjen e 23 trupave në komunën e Zubin Potokut, të cilët, sipas tij, u përkasin shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe në prill të vitit 1999.
“Shpresoj që të mund të kthejmë zotimet që janë bërë në Samitin e Londrës në vitin 2018 për sa i përket drejtësisë për krimet e kryera gjatë luftës, si dhe për zbulimin e personave të pagjetur. Janë mbi 1,500 persona të pagjetur në vendin tim. Së fundmi, në komunën veriore të Zubin Potokut kemi zhvarrosur 23 trupa, trupa të shqiptarëve që janë vrarë nga forcat serbe në prill të vitit 1999”, u shpreh Kurti.
Kryeministri kosovar u shpreh optimist për të ardhmen e vendit, duke riafirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave të Bashkimit Evropian, sundimit të ligjit dhe krijimit të mundësive të reja për punësim, veçanërisht për të rinjtë. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit evropian dhe të qëndrimit kundër ndikimit të Kremlinit në rajon.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



