Samiti i procesit të Berlinit, Merz: Protestat kanë përshirë rajonin, por dhuna s’është opsion. Bashkëpunimi rajonal thelbësor për BE-në

Rajon | 1 orë më parë

Kancelari gjerman Friedrich Merz u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të forcojnë bashkëpunimin rajonal dhe të vijojnë reformat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Gjatë fjalës së tij në Samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet në Budva të Malit të Zi, Merz u ndal edhe te protestat në rajon, duke theksuar se dhuna nuk duhet të jetë zgjidhje nga asnjëra palë.

“Ne kemi parë gjithashtu protestat në rajon, por edhe në vendet tona. Këto protesta na japin një mesazh të qartë: Duhet të vazhdojmë me procesin e zgjerimit dhe duhet të sigurohemi që qytetarët tanë të përfitojnë prej tij. Dhuna nuk duhet të jetë kurrë një opsion nga asnjëra palë”, deklaroi Merz, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut dhe të ruajtjes së paqes.

Merz theksoi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të vijojë dhe se qytetarët e vendeve të rajonit duhet të përfitojnë konkretisht nga integrimi. Sipas tij, Gjermania dhe partnerët evropianë kanë vullnetin për të përshpejtuar këtë proces, por reformat duhet të ndërmerren nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ky proces bazohet në meritë. Ne kemi vullnetin, por reformat duhet të vijnë sërish nga ju”, u shpreh Merz.

Merz nënvizoi se bashkëpunimi mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është thelbësor për suksesin e tyre në rrugën drejt BE-së. Ai vlerësoi rezultatet e arritura gjatë 12 viteve të Procesit të Berlinit, duke përmendur përparimin në lëvizjen e lirë, investime, turizëm, agjendën e gjelbër dhe shërbimet digjitale.

Sipas Merz, krijimi i një tregu të përbashkët rajonal do të rriste interesin e investitorëve dhe do të krijonte më shumë mundësi ekonomike për qytetarët dhe bizneset.

“Ndryshimi duhet të vijë nga brenda vendeve tuaja dhe kjo është një prej ideve themeluese të Procesit të Berlinit që nga krijimi i tij: të sjellë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në një tryezë, për të arritur reformat dhe përparimin nga brenda, si dhe për të nxitur bashkëpunimin dhe pajtimin rajonal. Në fund të fundit, ju do të keni sukses në rrugën drejt Bashkimit Europian vetëm nëse punoni së bashku. Një treg me 8 milionë banorë është sigurisht shumë më interesant për investitorët sesa gjashtë tregje të ndara. Tani jemi në rrugë të mbarë edhe me procesin e integrimit dhe po kujdesemi që ai të jetë sa më i shpejtë të jetë e mundur. Por, sigurisht, ky proces bazohet në meritë. Ne kemi vullnetin, por reformat duhet të vijnë sërish nga ju”, tha ai.

Kancelari gjerman u ndal gjithashtu te rëndësia e pajtimit rajonal dhe respektimit të vlerave evropiane, duke paralajmëruar kundër gjuhës së urrejtjes, polarizimit dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës.

Ai theksoi se një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm, paqësor dhe ekonomikisht dinamik është i rëndësishëm për të ardhmen e Bashkimit Evropian.

“Në vitin 2018, në samitin e Procesit të Berlinit në Londër, ne e hodhëm poshtë bashkërisht përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Nëse duam të krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, nuk duhet t’i hedhim benzinë zjarrit, por të ecim përpara mbi bazën e vlerave evropiane. Kjo vlen edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në gjendjen aktuale, ky proces po i pengon të gjithë. Prandaj, ne bëjmë thirrje urgjente për përgjegjësi dhe përparim”, tha Merz.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme