Faji i pushimeve, apo metoda e Luis Enrique? Dembele bëhet çështje te PSG

Futboll Bota | 59 minuta më parë

Trajneri spanjoll përpiqet ta ruajë nga dëmtimet e mundshme, kurse sulmuesi gjykon se pushimi i tepërt nuk e lejon të kapë ritmin.

Kvaratskhelia do të qëndrojë jashtë fushave për një kohë të gjatë, ndoshta kthehet sezonin e ardhshëm. PSG ndërkohë duhet t’i bëjë llogaritë edhe pa sulmuesin tjetër Dembele për rreth një muaj. Dëmtimi i “Topit të Artë” është më i lehtë se ai i gjeorgjianit, por situata me francezin ka krijuar jo pak polemika.

Ka një problematikë me menaxhimin e Dembele nga ana e trajnerit Luis Enrique. Dhe është paradoksale, sepse pushimi i tepërt që i jep trajneri nuk aprovohet nga numri 10 i PSG-së, që tani duhet të kalojë një tërheqje muskulore të kofshës së majtë.

Dembele ka humbur 2 nga 7 ndeshjet e kampionatit dhe ka qenë titullar vetëm 3 herë. Një strategji e aplikuar edhe sezonin e fundit, kur sulmuesi francez e mbylli vitin me 11 ndeshje nga minuta e parë në Ligue 1 dhe po aq edhe në Champions League. Këtë menaxhim trajneri Luis Enrique e bën realisht me të gjithë lojtarët, por me Dembele më shumë, me idenë për ta ruajtur nga dëmtimet që i kishin frenuar rritjen në kohën e Barcelonës.

Në Paris ndalesat për probleme fizike janë minimizuar edhe për faktin se lojtari ka përmirësuar stilin e jetës jashtë fushe.

Por javët e fundit pauzat nuk janë pritur gjithmonë mirë nga Dembele. Sipas “Equipe”, batutat përpara kamerave nga trajneri dhe lojtari mbi pushimet e sforcuara në të vërtetë mbulojnë tensionin. Dhe dëmtimi i së martës ndaj Barcelonës pas gati 20 minutash e ushqen këtë hipotezë. Sulmuesi nuk dëshiron të qandrojë jashtë apo në stol me frekuencë kaq të lartë.

Jo vetëm për ego, por edhe për çështje ritmi. Pushimi i tepërt duket se e pengon atë të ketë atë vazhdimësi atletike, për të cilën ka nevojë në moshën 29-vjeçare. E mendon ndryshe Luis Enrique, që aplikon një turnover gjeneral, me objektivin për t’i pasur të gjithë të gatshëm dhe në formën më të mirë në pranverë, ku çdo ndeshje ka shumë rëndësi.

Sidomos në Champions League, objektivi parësor i PSG-së, që synon “tris”-in. Mungesa e Dembele është parashikuar për tri javë dhe duke pasur parasysh edhe kalendarin e kombëtares, mund të zgjatet në një muaj. Këtë herë pushimi nuk është i sforcuar, por i nevojshëm.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme