Google pret 400 mijë pemë në Finlandë për qendra të inteligjencës artificiale, shpërthen zemërimi

Rreth 250 mijë pemë janë prerë në një zonë pyjore në Finlandën veriore për ndërtimin e një qendre të madhe të të dhënave të Google, pa përfunduar vlerësimet e kërkuara të ndikimit në mjedis. Rasti ka shkaktuar reagime të forta nga banorët dhe organizatat mjedisore, ndërsa autoritetet finlandeze kanë urdhëruar pezullimin e përkohshëm të punimeve në dy kantierë.
Sipas një investigimi të publikuar nga “The Guardian”, në zonën pranë qytetit Muhos, ku më parë shtrihej një pyll prej 330 hektarësh, janë prerë rreth 250 mijë pemë. Toka është zhveshur deri në shtresën e sipërme, duke lënë pas një sipërfaqe të mbuluar me baltë, rrënjë dhe mbetje drurësh. (Zona e pastruar nga Google është 3 km e gjatë dhe 2 km e gjerë, me një sipërfaqe totale prej 330 hektarësh, dhe ndodhet 400 metra larg lumit Oulujoki. Foto: Jarno Artika/The Guardian)
Shqetësimi nuk lidhet vetëm me humbjen e pyllit. Banorët kanë ngritur alarmin për rrjedhjen e ujërave me ngjyrë kafe nga kantieri drejt një përroi që derdhet në lumin Oulujoki, ndërsa mbrojtësit e mjedisit paralajmërojnë për dëmtimin e habitateve natyrore dhe largimin e kafshëve të egra.
Dëme të ngjashme janë raportuar edhe në Otanmäki, ku sipas vlerësimeve të ekspertëve janë prerë rreth 150 mijë pemë të tjera. Kështu, numri i përgjithshëm i pemëve të prera në dy zonat mund të arrijë në rreth 400 mijë.
Autoriteti finlandez për licencimin dhe mbikëqyrjen ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të punimeve në Muhos dhe në një kantier tjetër pranë Kajaanit, pasi kompania nuk kishte përfunduar vlerësimet e nevojshme të ndikimit në mjedis përpara ndërhyrjeve në terren.
Projektet janë pjesë e një investimi prej 13 miliardë eurosh të Google në infrastrukturën e inteligjencës artificiale në Finlandë. Vendi nordik është bërë një destinacion tërheqës për qendrat e të dhënave, falë klimës së ftohtë, hapësirave të mëdha dhe stabilitetit të tij.
Megjithatë, investimi ka hapur një debat të fortë mbi koston mjedisore dhe përfitimet reale për komunitetet vendase. Kritikët vënë në pikëpyetje faktin që burimet energjetike të Finlandës, përfshirë energjinë e rinovueshme, përdoren për të mbështetur kompanitë ndërkombëtare, ndërsa ndikimi ekonomik në nivel kombëtar mund të jetë i kufizuar.
Hanna Halmeenpää, drejtuese e bordit të Shoqatës Finlandeze për Ruajtjen e Natyrës, e cilësoi rastin si një shfaqje arrogance. Ajo tha se fillimisht nuk kishte mundur ta besonte se një kompani mund të vepronte në këtë mënyrë në Finlandë, duke shtuar se Google kishte përfituar nga besimi mbi të cilin mbështetet sistemi vendas.
Më shumë se 93 mijë persona kanë nënshkruar një peticion që kërkon rregulla më të rrepta për ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe kompensim për komunitetet e prekura nga dëmet mjedisore.
Nga ana e saj, Google ka kërkuar falje për situatën. Drejtuesi i kompanisë në Finlandë, Antti Järvinen, tha se vendimet ishin marrë mbi bazën e interpretimit që kompania kishte për legjislacionin në atë kohë. Google ka deklaruar gjithashtu se do të bashkëpunojë me autoritetet dhe se planifikon të mbjellë pemë në një sipërfaqe prej 130 hektarësh në Muhos. Megjithatë, mbrojtësit e mjedisit vlerësojnë se kjo masë nuk mjafton për të kompensuar dëmin e shkaktuar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




