Përcaktohen lehtësitë financiare për legalizimet, ja si do të aplikohen faljet 30%, 50% dhe 100% për faturat e truallit

Aktualitet | 2 orë më parë

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka nxjerrë udhëzimin e ri, i cili përcakton procedura të reja administrative për plotësimin elektronik të faturave të pagesës së parcelave ndërtimore, mënyrën e rakordimit financiar, si dhe listën e plotë të dokumentacionit për kategoritë shoqërore që përfitojnë falje të plotë apo të pjesshme të detyrimit.

Sipas aktit zyrtar të nënshkruar nga Drejtorja e Përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, hapi i parë procedural mbështetet në digjitalizimin e plotë të dokumenteve financiare.

Formulari i pagesës do të plotësohet në rrugë elektronike nga drejtoritë vendore, ndërsa faturat do t’u dërgohen qytetarëve përmes platformës shtetërore. Agjencia sqaron se “fatura për arkëtim hartohet në 3 (tri) kopje dhe nënshkruhet elektronikisht nga drejtori ose nga punonjësi i autorizuar i DVASHK-së dhe një kopje së bashku me formularin e pagesës dërgohet te subjekti nëpërmjet portalit «e-Albania» ose në rrugë postare”, në rastet kur mungojnë të dhënat e identifikimit elektronik.

Udhëzimi rregullon gjithashtu shlyerjen e detyrimeve nëpërmjet letrave me vlerë, duke saktësuar se në raste përjashtimore “kur nuk është e mundur të zbatohet saktësisht kufiri deri në 50% i pagesës me bono privatizimi për shkak të diferencave në përllogaritje, drejtoria vendore e ASHK-së bën rrumbullakimin e nevojshëm të vlerës së detyrimit”, por pa cenuar raportin e përgjithshëm ligjor dhe pa krijuar përfitime të padrejta.

Gjithashtu, për të gjithë poseduesit e ndërtimeve pa leje ofrohet një mekanizëm nxitës për pagesën e shpejtë: “nëse shlyerja bëhet brenda 30 ditëve nga data e marrjes dijeni për njoftimin, përfitohet zbritje prej 20% nga vlera e mbetur e detyrimit, pavarësisht nga funksioni i ndërtimit pa leje”.

Një kapitull më vete në udhëzim i kushtohet lehtësive financiare për shtresat sociale, ku përcaktohet me detaje dokumentacioni mjekësor dhe administrativ që duhet të depozitohet pranë zyrave të kadastrës. Falje të plotë (100%) të vlerës së parcelës ndërtimore përfitojnë personat me statusin e invalidit paraplegjik/tetraplegjik dhe personat e verbër, kundrejt paraqitjes së vendimeve përkatëse nga Komisionet Mjekësore të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP) apo Komisioni Mjekësor i Përcaktimit të Verbërisë (KMPV). Nga pagesa përjashtohen tërësisht edhe bashkësitë fetare për objektet e kultit, arsimore, sociale e shëndetësore.

Nga ana tjetër, falje të pjesshme prej 50% përfitojnë familjet që kanë në përbërje persona me invaliditet, të verbër, invalidë pune, familjarë të dëshmorëve të atdheut, pensionistët, si dhe “familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, të cilat e provojnë këtë fakt nëpërmjet depozitimit të certifikatës familjare”.

Për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, udhëzimi parashikon se ato “përfitojnë falje të pjesshme në masën 30% nga vlera e llogaritur e parcelës ndërtimore me paraqitjen e vërtetimit nga njësia e vetëqeverisjes vendore ku kanë vendbanimin”.

Procedura përmbyllet me verifikimin e rreptë të transaksioneve bankare përpara se pronari të marrë certifikatën e pronësisë. Udhëzimi përcakton se vetëm “pas konfirmimit dhe rakordimit të plotë të pagesës, detyrimi financiar konsiderohet i shlyer dhe subjekti vijon procedurat për regjistrimin e pasurisë”, ndërsa heqja e hipotekës ligjore mbi pronën do të kryhet ekskluzivisht mbi bazën e dokumentacionit të verifikuar plotësisht nga specialistët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Akti i ri normativ ka hyrë menjëherë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme