Rama: Shqipëria mbështet kandidaturën e Lana Nusseibeh për Sekretare të Përgjithshme të OKB-së

Politikë | 1 orë më parë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria mbështet kandidaturën e Lana Nusseibeh nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Në reagimin e tij në rrjetin social ‘X’, Rama shkruan se nominimi i Lana Nusseibeh ofron një fillim të ri që komuniteti i Kombeve të Bashkuara s’duhet ta humbasë.

Rama vlerëson njohuritë e saj në politikën ndërkombëtare dhe aftësinë për të ndërtuar ura midis kulturave dhe perspektivave të ndryshme.

“Kandidimi i Lana Nusseibeh nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ofron një fillim të ri, një mundësi që bashkësia e OKB-së nuk mund ta lërë t’i ikë, dhe Shqipëria ka nderin t’i japë kandidaturës së saj mbështetjen e plotë e të pakursyer. E njoha personalisht Lanën dhe e pashë në veprim gjatë mandatit të Shqipërisë si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kur pata mundësinë të vlerësoja njohuritë e saj të jashtëzakonshme për politikën ndërkombëtare, përulësinë e saj të veçantë intelektuale dhe dhuntinë e natyrshme për të kapërcyer dallimet mes kulturave dhe këndvështrimeve”, shkruan kryeministri.

Sipas kryeministrit Rama, në një kohë kur OKB-ja përballet me sfida të mëdha dhe kur aftësia e saj për të përmbushur misionin e saj vihet në dyshim, kandidatura e Lana Nusseibeh, sipas kryeministrit, përfaqëson një dritë shprese dhe një burim energjie pozitive.

Ai ka nënvizuar se ajo sjell eksperiencë, inteligjencë dhe një angazhim të palëkundur për t’i shërbyer njerëzimit pa asnjë paragjykim.

“Në zymtësinë që mbështjell sot Kombet e Bashkuara, kandidatura e Lanës është një dritë shprese dhe një burim energjie pozitive, sepse, në një kohë kur aftësia e organizatës për të përmbushur misionin e saj vihet kaq thellësisht në pikëpyetje, ajo sjell përvojë, inteligjencë dhe një përkushtim të palëkundur për t’i shërbyer njerëzimit pa asnjë paragjykim. Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, pas kaq shumë burrash në krye, nuk mund të mendoj për një shpresë më të mirë për Kombet e Bashkuara sesa një grua me një staturë të tillë”, përfundon kryeministri Rama.


/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme