Deklarata e Putinit për negociatat, propozon bisedime trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Evropës për sigurinë

Europë | 2 orë më parë

Presidenti rus Vladimir Putin i është rikthyer publikisht temës së negociatave për përfundimin e konfliktit në Ukrainë, duke propozuar një format të ri bisedimesh trepalëshe që përfshin Moskën, Kievin dhe vendet evropiane.

Sipas udhëheqësit të Kremlinit, ky proces dialogu duhet të marrë parasysh interesat e të gjitha palëve të përfshira në mënyrë të barabartë. Putin deklaroi se bisedimet e propozuara do të trajtojnë “në mënyrë të barabartë sigurinë e Ukrainës dhe Rusisë, por edhe atë të Evropës”, duke lënë të kuptohet se çdo marrëveshje e ardhshme duhet të përfshijë një arkitekturë më të gjerë sigurie në kontinent.

Lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqësore, presidenti rus u shpreh me rezerva por la të hapur rrugën e kompromisit.

“Mendoj se mund të arrijmë një marrëveshje për Ukrainën, por nëse dikush dëshiron që të shkojë ndryshe, atëherë do të shkojë ndryshe”, nënvizoi ai duke dërguar një mesazh të qartë për Perëndimin.

Në përmbyllje të qëndrimit të tij, kreu i shtetit rus u përpoq të ulë tensionet ushtarake me Bllokun Evropian, duke mohuar çdo plan për përshkallëzim të mëtejshëm jashtë kufijve të Ukrainës. Putin siguroi se “vendet evropiane nuk duan të luftojnë kundër Rusisë dhe Moska nuk po përgatitet për një luftë me Evropën”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme