Rubio: Katari, rol kyç në bisedimet me Iranin. SHBA riafirmon angazhimin e saj në rajon

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi të enjten një telefonatë me kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheiku Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ku shprehu mirënjohje për përpjekjet e vazhdueshme të Doha-s si ndërmjetëse në konfliktet e Lindjes së Mesme dhe riafirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë e Katarit, si dhe për lirinë e lundrimit nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit, Rubio theksoi rëndësinë e partneritetit të ngushtë dhe të fortë midis dy vendeve në promovimin e një rajoni më të sigurt. Ai vlerësoi veçanërisht rolin e vazhdueshëm të Katarit në përpjekjet e ndërmjetësimit për konfliktin në Lindjen e Mesme.
Nga ana e tij, Ministria e Jashtme e Katarit konfirmoi se dy zyrtarët diskutuan marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe partneritetin strategjik të ngushtë midis Doha-s dhe Washingtonit, si dhe mënyrat për t’i forcuar ato. Ata shqyrtuan zhvillimet e fundit rajonale, me theks të veçantë te përpjekjet diplomatike dhe koordinimi i përbashkët për uljen e tensioneve dhe forcimin e sigurisë e stabilitetit në rajon.
Kryeministri kataras theksoi gjatë bisedës mbështetjen e Katarit për të gjitha përpjekjet diplomatike që synojnë një zgjidhje që garanton lirinë e lundrimit detar dhe hap rrugën drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që sjell paqe të qëndrueshme në rajon.
Ngushtica e Hormuzit është një rrugë jetike detare përmes së cilës kalon një pjesë e rëndësishme e naftës dhe gazit të lëngshëm botëror. Çdo kërcënim ndaj lirisë së lundrimit aty ka pasoja të menjëhershme për tregjet energjetike globale. Riafirmimi i angazhimit amerikan për këtë liri, së bashku me mbështetjen për sigurinë e Katarit, vjen në një kontekst ku tensionet rajonale mbeten të larta.
Katari ka luajtur prej vitesh një rol aktiv si ndërmjetës në disa kriza të Lindjes së Mesme, duke përfshirë përpjekjet për uljen e tensioneve dhe lehtësimin e bisedimeve midis palëve të ndryshme. Partneriteti strategjik midis Uashingtonit dhe Doha-s përfshin bashkëpunim të ngushtë në fushën e sigurisë, ekonomisë dhe diplomacisë rajonale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




