Zelensky: Trump mund ta sjellë shumë lehtë Putinin në tavolinën e bisedimeve

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të enjten se Donald Trump mund ta sjellë “shumë lehtë” Vladimir Putinin në tryezën e bisedimeve, duke e nxitur liderin amerikan që retorikën e tij ta drejtojë ndaj presidentit rus.
“Trump mund ta sjellë shumë lehtë Putinin në tryezën e bisedimeve. Sepse, duke pasur parasysh mënyrën se si flet për mua, presidenti Trump duhet të fillojë të përdorë atë lloj retorike edhe ndaj Putinit,” tha Zelenskyy në një intervistë me podcasterin britanik Steven Bartlett, duke u përgjigjur pyetjes nëse ekziston një rrugë realiste për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Trump kohët e fundit ka pohuar se Zelensky është pengesa për paqen në Ukrainë dhe e ka nxitur liderin ukrainas që të arrijë një marrëveshje me Putinin ose të nominojë dikë tjetër për të negociuar.
Lideri amerikan ka kritikuar gjithashtu sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse, duke argumentuar se sulmet ndaj rafinerive mund të përkeqësojnë mungesat globale të karburanteve dhe të ndikojnë te fermerët dhe blegtorët amerikanë.
Zelensky tha se SHBA-të tashmë kishin miratuar sanksionet e fundit ndaj Rusisë dhe se Trump mund t’i përdorte ato nëse dëshironte.
Megjithatë, ai sugjeroi se “marrëdhënia e veçantë” e Trumpit me Putinin mund të jetë arsyeja e hezitimit të tij për të vendosur këto masa.
Ai argumentoi se volumi i naftës gazoil që Rusia do të furnizonte si pjesë e marrëveshjes së fundit me Uashingtonin është i pamjaftueshëm për të ndikuar në çmimet në SHBA. Sipas tij, sulmet e Kievit ndaj infrastrukturës energjetike ruse janë përgjigje ndaj sulmeve të Moskës ndaj asaj ukrainase.
Zelensky tha se i kishte kërkuar Trumpit që të paktën të ndërmjetësonte një armëpushim energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës, por pa sukses.
“Putini refuzon kërkesën e tij. Pastaj presidenti (Trump) vendos ta hedhë këtë problem jo mbi Putinin, por mbi mua, duke u shpjeguar njerëzve të tij se kjo është arsyeja pse po rritet çmimi i naftës gazoil në Amerikë. Kjo nuk është absolutisht e vërtetë,” tha Zelensky.
“Ai po ndryshon kontekstin dhe kjo është e padrejtë,” shtoi ai, duke theksuar se Trump kërkon të heqë vëmendjen nga ngjarjet në Lindjen e Mesme. Kalimi nëpër Ngushticën e Hormuzit mbetet i kufizuar rëndë që nga lufta me Iranin, e cila filloi në fund të shkurtit, duke ndikuar në çmimet globale të naftës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




