Sindikata e Universiteteve bojkoton sërish mësimin në mbështetje të studentëve, Kovaçi: Me ta deri në fund. Do bëjmë orë shtesë
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve ka bojkotuar edhe këtë të premte, më 23 tetor, procesin mësimor në shenjë solidariteti me protestën e studentëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kreu i sindikatës, Sandër Kovaçi, deklaroi para mediave se pedagogët e konsiderojnë mbështetjen ndaj studentëve një përgjegjësi qytetare, duke dënuar atë që e cilësoi si dhunë policore ndaj protestuesve. Kovaçi tha se sindikata i mbështet kërkesat e studentëve dhe do të qëndrojë në krah të tyre deri në fund të protestës. Ai theksoi se bojkotimi i mësimit është një formë solidariteti me të rinjtë dhe u bëri thirrje pedagogëve të mos zhvillojnë mësim me një numër të kufizuar studentësh, në kushtet kur pjesa tjetër është e angazhuar në protestë.
“E pamë si përgjegjësi qytetare t’u dalim zot studentëve dhe t’i themi ndal dhunës së policisë. Nga ana tjetër, kemi parë me simpati kërkesat e tyre dhe duhet t’i ndjekim deri në fund kërkesat e studentëve dhe protestën e tyre. Ne do të jemi me ta deri në momentin e fundit”, deklaroi Sandër Kovaçi.
Kreu i sindikatës u ndal edhe te vijimi i procesit mësimor, duke paralajmëruar se pedagogët do të angazhohen për të kompensuar orët e humbura, në mënyrë që bojkoti të mos ndikojë në përfundimin e programit akademik. Ai u bëri thirrje kolegëve të tij të respektojnë vendimin e bojkotit dhe të mos zhvillojnë mësim me vetëm një apo dy studentë.
“U bëjmë thirrje edhe ndonjë pedagogu që mendon se mund të bëjë mësim me një apo dy studentë, që është në shkelje të rregullores. Ne jemi pedagogë për t’u dhënë mësim të gjithë studentëve. Do të bëjmë orë shtesë për të mbyllur të gjithë ciklin mësimor”, u shpreh ai.
Kovaçi bëri të ditur gjithashtu se sindikata do t’i bashkohet protestës së paralajmëruar nga studentët për ditën e shtunë, në orën 14:00, duke ndjekur itinerarin e përcaktuar prej tyre.
“Nga ana tjetër, në vijimësi, studentët kanë paralajmëruar një protestë nesër në orën 14:00 dhe do të ndjekim itinerarin e tyre plotësisht në mbështetje të tyre”, deklaroi kreu i sindikatës.
Përtej kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit, Kovaçi vlerësoi se protesta studentore shpreh një pakënaqësi më të gjerë ndaj klasës politike dhe periudhës së tranzicionit në Shqipëri. Sipas tij, kërkesat e studentëve lidhen me nevojën për ndryshim politik dhe për një proces demokratik të plotë.
“Gjithashtu, e kemi të qartë çfarë duan studentët: ata duan përmbylljen e tranzicionit dhe rinovim të klasës politike. Si të tillë, u bëjmë thirrje politikës të dëgjojë zërin e studentëve protestues, pasi ky tranzicion duhet të marrë fund. Klasa politike duhet të kuptojë përgjegjësinë e saj që ka në lidhje me këtë tranzicion të trazuar”, theksoi Kovaçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



