Rama publikon të dhëna për 45 protestuesit e dhunshëm: Janë paguar nga krimi i organizuar, të gjithë me precedentë kriminalë

Politikë | 2 orë më parë

Kryeministri Edi Rama ka publikuar të dhëna dhe dokumente për personat e ndaluar nga Policia gjatë protestave të dhunshme, duke pretenduar se ata nuk janë studentë dhe se janë financuar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja. Sipas kreut të qeverisë, personat e identifikuar kanë precedentë penalë për vepra të ndryshme, ndërsa protestat paqësore të studentëve, sipas tij, janë shfrytëzuar për të nxitur përplasje dhe dhunë ndaj institucioneve.

Në deklaratën e tij, Rama u ndal te episodet e dhunës gjatë tubimeve, duke përmendur edhe ngjarjet pranë Ministrisë së Arsimit. Ai akuzoi Partinë Demokratike se ka marrë përgjegjësinë politike për dhunën e ndodhur dhe paralajmëroi publikimin e pamjeve që, sipas tij, dokumentojnë përfshirjen e personave të ndaluar në protestat e dhunshme. “Padyshim, qershia mbi tortë, glasa mbi tortë është PD. Dje mori autorësinë e dhunës te Ministria e Arsimit, e fillimit të dhunës. Unë do ndaj me ju pamje të cilat me siguri do të trondisin shumëkënd. Për shkak të konfidencialitetit, është ruajtur identiteti i personave”, deklaroi Rama.

Kryeministri sqaroi se personat për të cilët foli janë ndaluar nga Policia e Shtetit gjatë protestave dhe, sipas tij, nuk kanë lidhje me lëvizjen studentore. Ai bëri dallimin mes protestuesve që kundërshtojnë qeverinë në mënyrë paqësore dhe personave që, sipas pretendimeve të tij, kanë qenë të përfshirë në akte dhune.

“Personat që do të shihni janë subjekt dhe objekt i punës së Policisë së Shtetit. Janë të gjithë persona të ndaluar nga Policia e Shtetit në protestat e dhunshme dhe nuk janë studentë, por diçka tjetër. Nuk i përkasin dhe s’kanë lidhje me studentët, të cilët nuk i janë bashkuar kësaj dallge terrori urban, por qëndrojnë në një front proteste, protestë paqësore, protestë të lidhur me jetën e tyre të përditshme”, u shpreh kreu i qeverisë.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Rama, personat e përmendur rezultojnë të kenë precedentë penalë për vepra të ndryshme, përfshirë prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, vjedhjen, mosbindjen ndaj urdhrave të punonjësve të policisë, dhunën në familje, mashtrimin dhe shkatërrimin e pronës.

Megjithatë, kryeministri nuk paraqiti në deklaratën e tij prova të detajuara publike që të vërtetojnë pretendimin se këta persona janë financuar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja. Ky pretendim mbetet një akuzë e bërë nga kreu i qeverisë dhe kërkon verifikim nga organet kompetente.

Rama pretendoi gjithashtu se një pjesë e protestave po përdoret për të ushtruar presion ndaj institucioneve dhe për të detyruar qeverinë të ndryshojë kursin e saj politik.

“Kjo protestë, përmes Instagramit dhe TikTok-ut, mbështetet edhe nga të rinj që e shohin dhunën si një mundësi për ta ulur në gjunjë qeverinë, institucionet dhe, në fund fare, për të më imponuar mua një shkelje të kontratës me shqiptarët. Këta nuk janë studentët. E kam thënë qysh në krye të herës, këta nuk janë studentët. Dhe tani është koha ditë pas dite, rast pas rasti që fjalia “këta nuk janë studentët” të mbështetet nga fakte, të mbështetet nga dokumente.

Po e filloj me studentin e parë: studenti i parë është ‘’studenti’’ G.I: 57 vjeç, i cili është dënuar më parë për veprat e dhunës në familje dhe mosbindjes ndaj urdhrit të policisë, dënuar më parë. Precedent kriminal ka ‘’studenti’’ B.P: 41 vjeç, prishje të rendit dhe qetësisë publike, dhunë në familje ndaj vëllait të tij dhe ndaj motrës, tentativë për të kryer marrëdhënie seksuale me të motrën. Vazhdojmë me studentin, gjithmonë në thonjëza, A.B, 40 vjeç, precedentë kriminal për pjesëmarrje në protesta dhe tubime të paligjshme si dhe për dhunë ndaj punonjësit të policisë gjatë organizimit të protestave të paligjshme. Vazhdojmë me ‘’studentin’’ E.K: Vjedhje, pjesëmarrje në protesta dhe tubime të paligjshme, pengimi i qarkullimit, dëmtime të tjera me dashje, të gjitha këto vepra për të cilat është dënuar më parë.

S.X: 28 vjeç, precedent kriminal për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. E.V: 45 vjeç, precedent kriminal për vetëgjyqësi, mashtrim, fshehje të ardhurash, i dyshuar për marrje financimesh nga fonde të Republikës Khomeiniste të Iranit. S.D: 45 vjeç, precedentë kriminal për goditje për shkak të detyrës, falsifikim dokumentesh dhe ndotje. Vazhdojmë me XH.P: 27 vjeç, precedentë kriminal, pjesëmarrje në protesta të paligjshme, pengim të qarkullimit, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Vazhdojmë me J.S: 20 vjeç, por jo student, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, precedent kriminal i regjistruar. Vazhdojmë me V.A 36 vjeç. Precedent kriminal dënuar me 40 muaj burgim për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në Britaninë e Madhe si dhe me dy vjet dhe pesë muaj burgim për veprën penale trafikim i qenieve njerëzore. Vazhdojmë me A.M 28 vjeç precedent kriminal për veprën penale shkelje rregullave të qarkullimit dëmtim me dashje, mashtrim, falsifikim dokumentash.

Vazhdojmë me A.F 38 vjeç prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike si dhe vjedhje, precedentët e tij kriminalë. Z.M 30 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike dënuar në Britaninë e Madhe dhe njëkohësisht vjedhje. A.P 17 vjeç, as nxënës as student, precedent kriminal dëmtime të tjera me dashje. L.A, 24 vjeç. Mashtrim, kundërshtim dhe goditje për shkak të detyrës së punonjës të policisë. Asnjë lidhje me universitetin, asnjë lidhje me studentët. AB 20 vjeç, dëmtime me dashje, shkatërrim i pronës, prodhim dhe shitje e lëndës narkotike, asnjë lidhje me universitetin. F.D 32 vjeç, ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, vjedhje, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Dëmtime të tjera me dashje pa asnjë lidhje me universitetin. L.M 37 vjeç. Kundërshtimi i punonjësit të policisë, prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta. Asnjë lidhje me universitetin. S.D 24 vjeç. Vjedhje, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. F.M 25 vjeç, precedent kriminal, plagosje lehtë me dashje, prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta, vjedhje, dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim për veprën penale, shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë. Pra, një grabitës me dhunë.

I.G 36 vjeç, lokal për prostitucion, precedenti kriminal. K.K 39 vjeç, precedent kriminal vjedhje dhe prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. L.V 24 vjeç, asnjë lidhje me Universitetin, precedent kriminal vjedhje. M.A 32 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Edhe ky i fundit i dyshuar për financime nga republika Khomeniste e Iranit. I.D 26 vjeç, precedent kriminal për veprën penale prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta, pa lidhje me universitetin. K.B 20 vjeç asnjë lidhje me universitetin, dhunë në familje, prodhim dhe shitje lëndëve narkotike, shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor, prodhim dhe mbajtje pa leje armeve të ftohta.

R.B 30 vjeç, precedent kriminal vjedhje dhe prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. M.J 28 vjeç precedent kriminal kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik, asnjë lidhje me universitetin dhe ky. N.L 28 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike pa lidhje me universitetin. G.P 46 vjeç, goditje për shkak të detyrës, kanosje, shkatërrim i pronës, prishje rendit dhe qetësisë publike. E.N 23 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. D.H 24 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndës narkotike, dhunë në familje.  E.H 19 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike.  E.A 37 vjeç falsifikim dokumentash, fshehje të ardhurash, shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e personit. 37 vjeç. Çfarë studenti është ky? E.B 27 vjeç, precedent kriminal i deportuar nga Greqia për motivin e emigracionit të paligjshëm. Asnjë lidhje me universitetin. D.C 28 vjeç. Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt. Asnjë lidhje me universitetin. K.Z 22 vjeç. Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Asnjë lidhje me universitetin. E.LL 42 vjeç prishja e qetësisë publike. Kundërshtimi i punonjësit të policisë asnjë lidhje me universitetin. I dyshuar edhe ky për financime nga Republika Khomeniste e Iranit.  A.LL 52 vjeç. 23 vjet burg për vrasje me paramendim armbajtje pa leje. Liruar nga burgu në 14/2/22. Shoqëruar disa herë në polici në vitet 2022, 2024, 2025 për konflikte dhe mosmarrëveshje, dhunues shembullor në protestën studentore në thonjëza.

 A.I 33 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Kundërshtimi i punonjës të policisë, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme. O.B 21 vjeç, mbajtje pa leje armëve të ftohta. Dëmtime të tjera me dashje, asnjë lidhje me universitetin. D.L 32 vjeç. Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Asnjë lidhje me universitetin. B.P 39 vjeç, precedent kriminal për veprën finale penale falsifikim i letërnjoftimeve pasaportave dhe vizave. I dyshuar edhe ky për financime nga Republika Khomeiniste e Iranit. J.G 26 vjeç, precedent kriminal për veprën penale, prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta. A.B 42  vjeç, president kriminal për veprën penale pushtimi i tokës, organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, prishja e qetësisë publike, dy herë goditje për shkak të detyrës, lidhje me universitetin zero”, deklaroi ai.

Në vijim, kryeministri përsëriti akuzat për financim të protestuesve nga krimi i organizuar dhe forca të huaja, duke pretenduar se synimi është destabilizimi i vendit.

“Këta persona janë paguar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja dhe duan ta kthejnë përmbys Shqipërinë, ndërkohë që Shqipëria me dinjitet është vendosur në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme