Protesta e studentëve, pedagogët dhe personeli shëndetësor u bashkohen tubimit para Kryeministrisë
Protesta e studentëve ka hyrë në ditën e 11-të, ndërsa mbështetja për ta është zgjeruar me pjesëmarrjen e Sinditakës së Punonjësve të Shëndetësisë dhe Sindikata e Punonjësve të Shëndetësisë. Qytetarët janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, ku vijojnë tubimin kundër qeverisë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Për të katërtën ditë radhazi, studentët kanë refuzuar thirrjet për dialog me kryeministrin Edi Rama, duke këmbëngulur se protesta do të vijojë deri në reflektimin e qeverisë dhe plotësimin e kërkesës së tyre për dorëheqjen e kreut të ekzekutivit. Edhe gjatë tubimit të sotëm, situata para Kryeministrisë paraqitet e qetë. Në protestë janë bashkuar edhe mjekë, farmacistë, stomatologë, infermierë dhe punonjës të tjerë të shëndetësisë nga Shqipëria dhe diaspora, të cilët kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre për studentët.
Përmes një deklarate, ata theksojnë se solidarizimi me të rinjtë lidhet me mbrojtjen e të drejtës për protestë paqësore, dinjitetin dhe të ardhmen e vendit.
“Ne, nënshkruesit e kësaj deklarate, mjekë, farmacistë, stomatologë, infermierë dhe punonjës të tjerë të shëndetësisë në Shqipëri dhe diasporë, i bashkohemi protestës së studentëve në mbrojtje të jetës, dinjitetit dhe të ardhmes së Shqipërisë.
S’mund të qëndrojmë të heshtur përballë dhunës ndaj të rinjve dhe cenimit të së drejtës së tyre për protestë paqësore. Arsimimi cilësor, mundësitë e ndershme dhe e drejta për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre janë çështje që na përkasin të gjithëve”, thuhet në deklaratën e personelit shëndetësor.
Përfaqësuesit e këtij grupi i kanë bërë thirrje qeverisë të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e situatës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie tranzitore me përbërje teknike.
“Kërkojmë veprime konkrete të menjëhershme, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si akt të marrjes së përgjegjësisë politike për krizën dhe përshkallëzimin e saj, si dhe krijimin e një qeverie tranzitore, me përbërje teknike”, thuhet më tej në deklaratë.
Marshimi ka nisur nga Universiteti Politeknik i Tiranës, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për të përfunduar përpara godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit janë bashkuar me qytetarët e tjerë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



