Standardet Editoriale dhe Profesionale të Radio Televizionit Shqiptar
1.1 SAKTËSIA
Integriteti i programit audioviziv varet shumë nga saktësia e tij. RTSH është e angazhuar të garantojë se çdo material programor, që do ti përcillet publikut, do të paraqitet saktësisht dhe në kontekstin e tij.
RTSH garanton se të gjitha programet që përmbajnë editoriale, analiza, komente dhe këndvështrime të ndryshme, do të vlerësohen sipas së njëjtave standarde që karakterizojnë raportimin e lajmeve.
Mesazhi i transmetuar duhet të pasqyrojë faktet dhe nuk mund të jetë çorientues apo i pavërtetë.
Gazetari ka për detyrë të mbledhë informacionet me kujdesin e duhur, t’i verifikojë ato dhe t’u kushtojë vëmendje për t’i shprehur në stilin letrar të gjuhës shqipe ose të një gjuhe të minoriteteve.
Gjatë raportimit mbi çështjet aktuale dhe persona realë duhen shmangur teknikat e realitetit virtual, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë i shërben mesazhit dhe mbrojtjes së të drejtave personale.
Informacioni i pavërtetë mund të shkatërrojë besueshmërinë e RTSH-së. RTSH është një instrument jashtëzakonisht i fuqishëm, ndaj asnjëherë nuk duhet të përdoret si mjet manipulimi për qëllime të caktuara, të ndikojë apo të ndryshojë zhvillimin e ngjarjeve, në raport me audiencën. Krijuesit/autorét e programeve apo emisioneve nuk duhet të përdorin teknika të tilla që mund ta manipulojnë atë që, në fakt, ndodh në realitet. Shpejtësia në raportim nuk duhet të marrë përparësi mbi saktësinë. Gazetarët nuk duhet të publikojnë kurrë hamendjet e tyre, nëse mendojnë se ka ndodhur diçka, duhet ta hulumtojnë plotësisht dhe të kontrollojnë të gjitha faktet përpara transmetimit. Redaktorët duhet t’i lexojnë të gjitha informacionet për t’u siguruar që ato janë të vërteta. Gazetarët duhet të kërkojnë të paktën dy burime të pavarura për të konfirmuar çdo fakt.
Duhet të bëhet e qartë nëse informacioni bazohet në një burim të vetëm apo nëse vetë gazetari është burim i dorës së pare (dëshmitar apo ka dëshmuar lidhur me ngjarjen). Burimet duhet të jenë të bazuara në fakte dhe jo në thashetheme. Është më mirë që kontakti të jetë i drejtpërdrejtë me burimin, sesa me anë të telefonit apo forma të tjera komunikimi. Burimet anonime duhen përdorur vetëm në kushte dhe në rrethana të jashtëzakonshme dhe vetëm pasi gazetarët të jenë bindur për vërtetësinë, origjinalitetin dhe vlefshmërinë e burimit. Për të sqaruar situata të ndërlikuara ligjore mund të përdoren burimet politike apo ekonomike, duke i prezantuar qartë dhe me gjuhën e duhur.
Edhe nëse informacioni duket se ka ardhur nga një website I besueshëm, ai duhet të verifikohet me burimet e informacionit. Citimet duhen përdorur në kontekstin që janë thënë. Kur një citim është i përkthyer duhet të verifikohet saktësia e përkthimit. Të gjitha format e interpretimit duhet të shmangen. Citimi duhet t’i atribuohet personit që është cituar dhe nuk prezumohet të jetë fakt.
1.2 PAANËSIA
Paanësia është një vlerë themelore e të gjitha programeve të Radiotelevizionit Shqiptar, misioni i të cilit është informimi objektiv i publikut. Mesazhet e transmetuara nuk duhet të jenë çorientuese për publikun. RTSH nuk do të marrë në konsideratë asnjë program ose material, nëse vihet re se përmbajtja e tyre ka fakte të trajtuara në mënyrë të njëanshme dhe manipuluese apo fakte të padokumentuara dhe pasaktësi. Raportimi duhet të jetë i paanshëm,i plotë dhe mirëinformues.
Faktet dhe pikëpamjet duhet të përcillen dhe të prezantohen në mënyrë të baraspeshuar. Raportimi duhet të marrë parasysh të gjithë personat, institucionet, çështjet dhe ngjarjet në mënyrë të paanshme dhe etike. Paanësia në programet e aktualitetit nuk mund të sigurohet nga një bilanc i thjeshtë aritmetik, që peshon qëndrimet me kundërqëndrimet, por me një paraqitje të plotë të rrethanave, që kanë shkaktuar këto (kundër)qëndrime. Gjithsesi, kërkesa për paanësi nuk mund të barazohet me neutralitetin e plotë në çdo lajm. Një gazetar mund të shprehë një gjykim profesional, në bazë të fakteve që kanë lidhje me çështjen, por jo një mendim personal, që shpreh pikëpamje të njëanshme për çështjen. Krijuesit e programeve të radios dhe televizionit (punonjësit dhe të ftuarit) nuk mund të fshehin ose të shpërfillin informacione, me të cilat ata personalisht nuk pajtohen. Për çdo rast, duhet t’u referohen eprorëve. RTSH ndalon çdo material që, bazuar në gjykimin e këtij institucioni, i trajton njerëzit apo opinionet e tyre qëllimisht në mënyrë të diferencuar, si dhe duhet t’i shmanget çdo gjëje, që do të shkaktonte një dyshim të arsyeshëm lidhur me paanësinë e gazetarit apo të transmetuesit publik. RTSH duhet të shmangë raportimin që do të krijonte idenë se gazetari apo transmetuesi janë nën ndikimin e ndonjë grupi të caktuar, qoftë ai i natyrës ideologjike, politike, financiare, sociale, fetare apo kulturore. RTSH u garanton personave apo institucioneve të kritikuara të drejtën për t’u kundërpërgjigjur.
1.3 INTEGRITETI EDITORIAL
Të gjithë punonjësit e RTSH-së janë përgjegjës për reputacionin e institucionit. Reputacioni i Radiotelevizionit Shqiptar mbështetet fort në besimin e publikut për integritetin editorial të përmbajtjes së programeve audio dhe audiovizive, si dhe në procesin e prodhimit dhe transmetimit. Për të ruajtur këtë besim, RTSH është përgjegjës për mbrojtjen e veprimtarisë krijuese dhe editoriale nga presioni politik ose ndikimi i papërshtatshëm nga reklamuesit apo burime të tjera. RTSH do të bëjë çdo përpjekje për të siguruar që përmbajtja e programeve audio dhe audiovizive, që përcillet në publik, të plotësojë me rigorozitet standardet editoriale të strukturuara për të siguruar integritetin e institucionit.
1.4 KONTROLLI I FAKTEVE
Gazetarët dhe redaktorët e RTSH-së duhet të respektojnë rregullin bazë profesional: kontrolli i të gjitha fakteve para se të dalin në transmetim. Nëse nuk është i mundur verifikimi, atëherë duhet të deklarohet burimi nga është marrë informacioni. Nëse burimi është i besueshëm, por nuk dëshiron të bëhet publik, atëherë mund të përdoren disa fraza, të tilla si: «nga burime të besueshmer; «nga burime të verifikuara»; «nga burime të mirinformuara»; «nga burime diplomatike, «nga burime të afërta me…» etj. Programet e RTSH-së, si rregull, duhet të shmangin përdorimin e frazave të tipit: «thuhet se…»; «flitet se…»; kemi dëgjuar se…» etj. Kujdes i veçantë duhet treguar kur përdoren burime të paautorizuara nga interneti. Interneti lejon qasje të pakufizuar dhe përdorimi i të dhënave të paverifikuara mund të çojë në keqinformimin e publikut. Para se të transmetohen përmbajtje të paautorizuara nga internet duhet të kontrollohen të gjitha faktet. Nëse përdoret një burim I paautorizuar nga interneti, gjithsesi, ai duhet të jetë i theksuar qartë si i tillë. Aty ku është e mundur duhet identifikuar burimi i faqes dhe autorësia e materialeve (jo çdo faqe që duket zyrtare mund të jetë e vërtetë). Redaktorët duhet të kenë të gatshme një listë faqesh të identifikuara si burime të besueshme informacioni. Burimet gjithmonë duhet të verifikohen, veçanërisht kur kemi të bëjmë me ato që përdoren për herë të parë. Kjo mund të bëhet nëpërmjet bisedave telefonike ose duke takuar njerëzit që janë të përfshirë në marrjen e informacionit. Për verifikimin e burimit nuk duhet të përdoret email ose ndonjë formë tjetër e komunikimit virtual, përveç rasteve kur garantohet verifikimi i identitetit të burimit dhe informacionit që ofrohet. Kur gazetari merr informacione të ndryshme duhet të gjendet një burim tjetër që ose ta miratojë ose ta hedhë poshtë këtë informacion. Të gjitha burimet e informacionit duhet të jenë të qarta për publikun, përveç rasteve kur burimi kërkohet të jetë anonim, por gazetari ia njeh vlerën.
1.5 BESUESHMËRIA
Në shoqërinë demokratike, besueshmëria është një nga vlerat themelore të Transmetuesit Publik.
RTSH garanton se asnjë material nuk do të lejohet të përmbajë manipulim të ndërgjegjshëm të fakteve apo përzgjedhje të tyre me qëllim propagandimi Programet e transmetuara duhet të ofrojnë shpjegimet përkatëse të ngjarjeve dhe çështjeve, që t’i mundësojnë publikut të krijojë përshtypjet e veta. Gazetarët dhe të gjithë krijuesit e tjerë të programeve radio dhe televizive të RTSH-së duhet të jenë të pavarur në punën e tyre. Ata duhet të ruajnë autonominë e profesionit të gazetarisë, si edhe të të gjitha profesioneve të tjera, që ndihmojnë në realizimin e programeve të RTSH-së.
Programet e lajmeve duhet të ofrojnë pasqyrim të plotë të ngjarjeve dhe çështjeve, duke lejuar publikun të formojë pikëpamjet e tij. Besueshmëria kërkon që të gjithë ata që kontribuojnë në programet e radios dhe të televizionit ta shmangin solidaritetin publik me çdo lloj veprimi të partive politike apo shoqatave, shoqërive apo grupeve të tjera të interesit, si dhe grupeve të lobimit, solidaritet që mund të interpretohet si mbështetje ndaj njërës prej palëve, grupit të partive ose shoqatave.
Gazetarët e kanë të ndaluar të bëjnë plagjiaturë. Duhen cituar burimet e website-ve, gazetarët e tjerë apo organe të tjera të medias.
1.6 PËRGJEGJËSIA
Qëllimi kryesor i mbledhjes së lajmeve dhe transmetimit të tyre është që të sigurojë një qasje sa më të gjerë të mundshme dhe t’u japë mundësinë përdoruesve për të formuar opinionet e tyre për çështje të caktuara. Gazetarët dhe redaktorët nuk duhet të abuzojnë me pozitën e tyre duke përhapur lajme të rreme apo të manipuluara. Përgjegjësia përfshin edhe ndjeshmërinë që mund të tregohet apo krijimin e një distance të caktuar nga materialet që shpërndahen nga agjencitë e marrëdhënieve me publikun, që synojnë krijimin e imazhit dhe famës për personalitete të caktuara. RTSH i raporton të gjitha ngjarjet në vend dhe jashtë tij, që janë të rëndësishme për publikun. Të njëjtat standarde dhe parime etike duhet të zbatohen edhe kur raportohen ngjarjet brenda RTSH-së.
1.7 QASJA PUBLIKE NDAJ PUNËS
Puna e gazetarit është publike. Gazetarët e RTSH-së duhet të punojnë në përputhje me këtë rregull. Atalato duhet të refuzojnë kategorikisht çdo përpjekje, nga çdo institucion apo individ, për të kufizuar aksesin publik të punës së gazetarit ose përpjekjet për ta përdorur atë për interesa të caktuara, që bien ndesh me parimin e lirisë dhe pavarësisë së profesionit të gazetarit. Fshehtësia e burimeve, e rekomanduar nga Këshilli i Europës, duhet respektuar, me përjashtim të rasteve kur kjo gjë mund të vërë në rrezik jetën apo sigurinë e individëve (për shembull në rastet e paralajmërimeve për bomba apo zjarr, rrëmbim apo kërcënime të kësaj natyre) ose në rastet kur redaktorët dhe gazetarët duan të fshehin veprimet kriminale të individëve, grupeve apo organizatave të ndryshme.
1.8 PAVARËSIA
Standardi i pavarësisë respektohet në RTSH dhe shtrihet përtej idesë që lajmi apo informacioni duhet të jetë neutral. Gazetarët, në asnjë rast, nuk duhet të krijojnë përshtypjet e tyre në bazë të paragjykimit apo të lejojnë vënien në pikëpyetje të integritetit të tyre profesional. Gazetarët duhet t’i përmbahen, në çdo situatë, parimit të autonomisë dhe të pavarësisë së programeve të RTSH-së, duke u mbështetur në parimet editoriale dhe standardet profesionale, të miratuara nga Këshilli Drejtues i RTSH-së. Edhe në rastet kur programet e RTSH-së janë bashkëprodhime apo prodhime të palëve të treta (buxheti i shtetit, sponsorët), RTSH duhet të ruajë pavarësinë e saj editoriale në përgatitjen e këtyre programeve. Edhe këto programe janë subjekt i standardeve profesionale dhe etike të këtij kodi. RTSH pranon qasjen që një informacion i caktuar të konsiderohet i pavarur apo i paanshëm, me kusht që të jetë e qartë se nga vjen informacioni dhe cilat janë të dhënat e përdorura, për të arritur në konkluzione të caktuara. Raportimi për çështje që kanë kundërthënie është thelbi i mbrojtjes së interesit publik. Për këtë arsye, asnjë strukturë editoriale nuk duhet ta pengojë raportimin e çështjeve të tilla.
1.9 NDERSHMËRIA NË RAPORTIM
Në raportimet e tyre, gazetarët dhe redaktorët e RTSH-së duhet të respektojnë integritetin e individëve dhe të drejtën e tyre për privatësi. Personave të kritikuar ashpër në programet e RTSH-së, në rastin më të parë të mundshëm, duhet t’u jepet mundësia për t’u përgjigjur. Reagimi duhet të transmetohet në të njëjtin program, në të njëjtën orë. Koha e përgjigjes duhet të jetë e barabartë me kohën e kritikës. Reagimet që tejkalojnë këtë kuadër mund të refuzohen nga redaktorilpërgjegjësi i programit. Asnjë lajm apo program nuk mund të konsiderohet si i drejtë nëse: nuk përfshin të gjitha faktet të rëndësishme, Përfshin fakte të parëndësishme dhe shpërfill ato më të rëndësishmet, padashur apo me qëllim mashtron shikuesit dhe dëgjuesit, gazetarët përdorin shprehje ose skema që tregojnë anësi të tyre. RTSH ka standarde të larta profesionale. Është objektiv i këtij institucioni që këto standarde të jenë njëkohësisht standardet e çdo bashkëprodhuesi të lidhur me të. RTSH ndalon transmetimin e çdo lloj programi nëse ka arsye të besohet se një operator mediatik i caktuar ka thyer normat bazë të sjelljes profesionale. Shembuj të sjelljes joprofesionale konsiderohen: përdorimi i materialeve të të tjerëve pa respektuar të drejtën, e autorit dhe të transmetimit, fabrikimi i informacionit ose mbledhja e tij nëpërmjet ryshfetit ose kanosjes, mungesa e humanizmit ndaj tragjedive apo zisë njerëzore, konflikte interesi të shfaqura nëpërmjet pranimit të ryshfeteve, dhuratave, favoreve, kompensimeve nga ata që mund të jenë të interesuar të ndikojnë në prodhimin e programit.
1.10 GJUHA
RTSH duhet t’i kushtojë kujdes të veçantë gjuhës shqipe. Gjuha duhet të jetë e qartë dhe e thjeshtë, duke shmangur teprimet dhe paqartësitë. Drejtuesit e programeve, moderatorët dhe gazetarët (si edhe të gjithë krijuesit e tjerë të programeve, të punësuar dhe të pavarur) janë të detyruar të përdorin stilin letrar shqip dhe gjuhët e minoriteteve. Gazetarët duhet të përdorin gjuhën standarde gjatë leximit dhe kur moderojnë programe. Përdorimi i dialekteve është i pranueshëm vetëm nga persona të cilët nuk janë të punësuar nga RTSH apo në rastet me interes të veçantë shoqëror (të tilla si ruajtja dhe zhvillimi i dialekteve të caktuara). Është i rekomandueshëm transmetimi i kontributeve nga autorë nga minoritetet, në gjuhën e tyre amtare, me titra në shqip. Në parim, programet e RTSH-së nuk lejojnë përdorimin e shprehjeve vulgare apo përdorimin e gjuhës që nuk është në përputhje me normat e pranuara shoqërore. Megjithatë, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se pranimi publik në lidhje me shprehje të caktuara është në ndryshim të vazhdueshëm. Në rrethana të caktuara bëhen të pranueshme disa shprehje gjuhësore që, në situata të tjera, mund të shkaktojnë ankesa. Megjithatë, këto shprehje duhet të jenë në funksion të mesazhit që përcjell programi. Për më tepër, duhet të jetë e kuptueshme që shmangia e këtyre shprehjeve mund të cenojë cilësinë e programit