Vjelja e ullirit/ Prodhuesit synojnë markën “Made in Lushnja”, kryebashkiakja Sefa: Vaj cilësor, nuk do zhgënjehen

Aktualitet | 2 orë më parë

Është koha e vjeljes së ullinjve dhe përpunimit të tyre. Rajoni i Lushnjës është një nga prodhuesit kryesorë dhe më të rëndësishëm të ullirit dhe vajit të ullirit në Shqipëri. Sipërfaqja e ullinjve po shtohet nga viti në vit dhe si fermerët dhe përpunuesit e tij janë të kënaqur nga ajo ccfarë marrin:

“Ky vit është shumë i mbarë për pjesën e ullirit. Ka shumë prodhim, por mundohemi për cilësinë, gjithmonë për cilësinë e vajit të jetë sa më i mirë, që të jetë edhe tregu po më i mirë”, deklaroi Ylli Sula, prodhues i vajit të ullirit.

“Me ullin që ka zona, kapaciteti është i vogël i fabrikës, duhet një fabrikë akoma më e madhe”, tha Taulant Kalemasi, prodhues i vajit të ullirit.

Prej shtatorit të këtij viti 16 fabrika të prodhimit të vajit të ullirit ngritën Shoqatën e Bashkimit Bujqësor “Lushnja Olive Oil Union” e cila synon standardizimin dhe promovimin e përbashkët të vajit të ullirit myzeqar si dhe forcimin e eksporteve drejt tregjeve të Bashkimit Europian dhe më gjerë.

“Lushnja është prodhuesi më i madh i vajit të ullirit nga statistikat e Ministrisë së Bujqësisë dhe ne e synojmë që këtë përparësi që kemi ta shfrytëzojmë për të krijuar tregun dhe markën tonë Made in Lushnja”, u shpreh Alvin Gjata, drejtues i ShBB.

“Gjej rastin që të bëj një ftesë për të gjithë qytetarët e Lushnjës, të Shqipërisë, por edhe më tej, që nëse duan një vaj cilësor dhe të mirë, të vijnë të marrin vajin në fabrikat e Lushnjës, sepse nuk do të zhgënjehen”, deklaroi kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa.

Lushnja ka 22 fabrika të prodhimit të vajit të ullirit. E megjithatë nevoja për fabrika të tjera mbetet evidente. Duke qenë se ka shumë vaj ulliri dhe nuk eksportohet çmimi i këtij produkti mbetet i ulët krahasuar me kostot. Këtë vit çmimi i tij mbetet mes 500 – 700 lekë për litër.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme