Tërmet me magnitudë 5 në detin Tirren, lëshohet alarm për cunami në Sicili

Botë | 2 orë më parë

Një seri tërmetesh janë regjistruar në detin Tirren Jugor, në brigjet e Sicilisë, me lëkundje që janë ndjerë në disa zona, përfshirë Palermon, Katanian dhe Trapanin. Lëkundja më e fortë u regjistrua me magnitudë 5.0, ndërsa autoritetet e mbrojtjes civile shpallën alarm portokalli për rrezik cunami.

Sipas Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), tërmeti më i fortë u regjistrua në orën 12:19 të së premtes, me epiqendër në detin Tirren Jugor, në veriperëndim të ishujve Eolie dhe pranë ishullit Alicudi.

Lëkundjet u ndjenë nga Palermoja deri në Katania dhe në ishujt Eolie, ndërsa raportime pati edhe nga zona të tjera të Sicilisë. Sipas të dhënave të publikuara fillimisht, nuk kishte njoftime për dëme materiale apo persona të lënduar.

Pas aktivitetit sizmik, Mbrojtja Civile e Sicilisë shpalli alarm portokalli për rrezik cunami dhe u bëri thirrje banorëve të zonave bregdetare të prekura të ndjekin udhëzimet zyrtare. Autoritetet kanë vendosur në komunikim kryetarët e bashkive të zonave përkatëse, ndërsa strukturat e emergjencave po monitorojnë situatën.

Në Trapani, për arsye sigurie, u evakuua edhe godina e gjykatës. Ndërkohë, në Palermo u zbrazën disa shkolla, mes tyre shkolla Giusino, pjesë e liceut Margherita, nga ku dolën rreth 300 nxënës dhe mësues. Një tjetër shkollë u evakuua në zonën Partanna Mondello.

Sipas sizmologut Salvatore Stramondo, drejtor i departamentit të tërmeteve në INGV, lëkundja e fortë është pjesë e një sekuence sizmike në detin Tirren Jugor, ku gjatë javës së fundit janë regjistruar të paktën 60 tërmete.

Autoritetet vijojnë të ndjekin zhvillimet dhe u kërkojnë banorëve të zonave bregdetare të respektojnë njoftimet dhe udhëzimet e Mbrojtjes Civile.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme