Ndërmjetësimi humanitar, Melania Trump njofton marrëveshjen për armëpushim në Oleshky

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim lokal midis Rusisë dhe Ukrainës në qytetin e Oleshky-t. Sipas njoftimit zyrtar, pezullimi i përkohshëm i veprimeve ushtarake do të hyjë në fuqi më 29 tetor. Marrëveshja synon të lehtësojë krizën humanitare në rajon dhe të krijojë kushtet e nevojshme për lëvizjen e sigurt të popullsisë civile.
Përmes një deklarate zyrtare, Shtëpia e Bardhë bëri me dije se “të dy vendet kanë rënë dakord të ndalojnë përkohësisht veprimet ushtarake në Olenshky për të lejuar hyrjen e ndihmës humanitare dhe për t’u përgatitur për evakuimin e civilëve përmes pikave të caktuara të kalimit”.
Procesi i ndërmjetësimit është udhëhequr nga Zonja e Parë, Melania Trump, e cila ka zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e të dyja palëve për të përcaktuar kuadrin teknik dhe operacional të këtij armëpushimi të kufizuar. Duke përshkruar gjendjen kritike në terren, Melania Trump theksoi se “situata në Oleshky është e tmerrshme. Oleshky është një qytet i vendosur në vijën e frontit, në prag të katastrofës. Popullsia e mbetur përbëhet kryesisht nga të moshuar që kanë nevojë urgjente për kujdes mjekësor, ilaçe, ushqim dhe ujë të pijshëm”.
Zonja e Parë nënvizoi se kushtet e vështira të jetesës dhe rreziqet e larta ushtarake e bënin të domosdoshme një ndërhyrje të nivelit të lartë diplomatik.
“Banorët e Oleshky-t kanë energji elektrike të kufizuar, jetojnë të rrethuar nga rrugë të minuara dhe janë nën sulme të vazhdueshme ushtarake. U bë plotësisht e qartë se, pa ndërhyrjen time, do të kishte qenë e pamundur të futej ndihma humanitare në qytet dhe të evakuoheshin të moshuarit”, u shpreh ajo.
Koordinimi midis palëve ka përfshirë përcaktimin e afateve kohore, modaliteteve operative dhe procedurave teknike për zbatimin e marrëveshjes. Për të garantuar transparencën dhe monitorimin e pavarur të këtij procesi humanitar, është parashikuar edhe përfshirja e mediave ndërkombëtare. Në këtë kuadër, Melania Trump vuri në dukje se “gjithashtu kam angazhuar një organizatë mediatike amerikane të paanshme, e cila do të shoqërojë ekipet ruse dhe ukrainase në terren dhe do të dokumentojë të gjithë procesin për të siguruar që dëshirat e secilës familje të respektohen me besnikëri”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



