Nga riciklimi te përgjegjësia e prodhuesit, detajet e projektvendimit për pajisjet elektrike dhe elektronike

Shëndet | 1 orë më parë

Ministria e Mjedisit ka hartuar projektvendimin “Për menaxhimin e mbetjeve të pajisjeve elektrike dhe elektronike”, një akt normativ që synon krijimin e një kuadri të plotë rregullator për trajtimin e këtyre mbetjeve dhe kufizimin e substancave të rrezikshme, në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas relacionit shoqërues, qëllimi kryesor i këtij projektakti është mbrojtja e mjedisit dhe e shëndetit publik përmes parandalimit të ndotjes dhe nxitjes së ekonomisë qarkulluese. Në dokument theksohet se objektivi është “mbrojtja e mjedisit dhe e shëndetit të njeriut nëpërmjet parandalimit të gjenerimit të mbetjeve nga pajisjet elektrike dhe elektronike, promovimit të ripërdorimit, përgatitjes për ripërdorim, riciklimit dhe rikuperimit të tyre”.

Gjithashtu, projektvendimi vendos detyrime direkte për të gjithë aktorët e tregut, përfshirë prodhuesit, importuesit dhe distributorët, duke integruar parimin e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit.

Lidhur me aspektin financiar dhe zbatimin në terren, relacioni sqaron se akti nuk do të sjellë ngarkesë shtesë për buxhetin e shtetit.

“Kostot kryesore të menaxhimit të MPEE-ve mbulohen nga prodhuesit individualisht ose nëpërmjet skemave kolektive”, ndërsa funksionet e kontrollit do të mbulohen nga strukturat ekzistuese si Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektorati Mjedisor, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Akti parashikon gjithashtu shfuqizimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 957, datë 19.12.2012, duke vendosur periudha tranzitore për kalimin gradual drejt sistemit të ri të raportimit dhe menaxhimit të mbetjeve elektronike në Shqipëri.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme