Klima e tensionit dhe e akuzave, Serbia përballet me votimin më të pasigurt që nga viti 2012

Serbi | 2 orë më parë

Serbia po i afrohet zgjedhjeve parlamentare të së dielës në një atmosferë të karakterizuar nga mobilizimi popullor, polarizimi i thellë dhe tensionet e larta politike. Për herë të parë pas 14 vitesh në pushtet, Partia Progresive Serbe (SNS) përballet me një konkurrencë serioze dhe të pasigurt në rezultat, e udhëhequr nga “Lista e Studentëve”.

Protestat e nisura 24 muaj më parë – pas shembjes tragjike të strehës prej betoni në stacionin e Novi Sadit në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona – u shndërruan në një lëvizje politike që kërkon llogaridhënie dhe përmbysjen e sistemit aktual.

Gjatë tubimit përmbyllës në Beograd, përfaqësuesit e studentëve përcollën mesazhe optimizmi. Studenti Arsa Stojanoviç i u shpreh turmës se “kemi ecur nëpër Serbi nga njëri skaj në tjetrin, kemi vizituar fshatra dhe lagje, ju kemi parë në sy dhe kemi kuptuar se mund të mbështetemi tek ju”, ndërsa kandidati Aleksandar Çupiç shtoi se “kjo mban erë lirie”.

Në krahun tjetër, SNS organizoi tubimin e saj përmbyllës duke e paraqitur votën për pushtetin si të vetmen garanci për stabilitet dhe sovranitet. Ish-presidenti Aleksandar Vuçiç i akuzoi kundërshtarët për ndikim të jashtëm, duke deklaruar se “ata u përpoqën ta shkatërronin vendin tonë me urdhër të huaj dhe kjo është arsyeja pse kjo është beteja më e vështirë. Ata na sulmuan me miliarda euro dhe ne e mbrojtëm veten me integritet, programin tonë, dashurinë për atdheun tonë dhe arritjet e Serbisë”.

Gjendja në terren mbetet e ngarkuar me incidente. Organizata e pavarur për monitorimin e zgjedhjeve, CRTA, ka regjistruar 116 incidente me dhunë fizike ose kërcënime verbale, duke konstatuar se fushata “nuk ka qenë as e lirë dhe as e drejtë që nga dita e parë”, për shkak të pabarazisë në hapësirën mediatike ku tre të katërtat e kohës televizive i janë dedikuar pushtetit.

Për më tepër, raportimet e mediave ngrenë shqetësime për parregullsi serioze, duke përfshirë trysninë mbi punonjësit e sektorit publik, si dhe pretendimet për blerje votash me shuma që variojnë nga 30 deri në 150 euro ose oferta për paketa pushimesh familjare në këmbim të mbështetjes elektorale.

  • /rtsh.al/

     


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme