Gara për James Bond-in e ri, kush do ta zëvendësojë Daniel Craig?

Film | 1 orë më parë

Gara për të gjetur aktorin që do të veshë kostumin e agjentit legjendar 007 ka hyrë në fazën më përcaktuese. Sipas raportimeve të fundit nga mediat e industrisë së kinematografisë si The Hollywood Reporter, Deadline dhe Variety, këtë fundjavë do të zhvillohen testet e fundit të ekranit për të zgjedhur pasardhësin e Daniel Craig.

Mes emrave kryesorë që kanë arritur në fazën finale të përzgjedhjes përmenden aktorët britanikë Callum Turner (Masters of the Air), Jack Lowden (Slow Horses) dhe Josh O’Connor (The Crown, Wake Up Dead Man: A Knives Out Mystery).

Procesi i vlerësimit për rolin e Bondit njihet për rigorozitetin e tij të lartë. Raportimet e mediave britanike bëjnë me dije se testet përfshijnë përgatitje të detajuara të flokëve, grimit, kostumeve dhe interpretimit të skenave me aktorë të tjerë mbështetës. Producentja Amy Pascal u shpreh se ekipi është “shumë metodik”, duke nënvizuar se pas epokës 15-vjeçare të Daniel Craig, roli i ri duhet të jetë “diçka vërtet e ndryshme dhe emocionuese”.

Në aspektin krijues, skenaristi Steven Knight konfirmoi se drafti i parë i skenarit është përfunduar tashmë, ndërsa projekti i ri do të drejtohet nga regjisori i njohur Denis Villeneuve. Megjithëse testet përfundojnë së shpejti, Amazon MGM Studios nuk ka caktuar ende një datë fikse për shpalljen zyrtare të aktorit fitues.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme