Rama: Protesta paqësore na çon te dialogu, shumë shpejt me masa si Italia dhe Franca
Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, kryeministri Edi Rama u ndal te qëndrimi i qeverisë ndaj protestave të zhvilluara së fundmi, duke theksuar dallimin e qartë mes të drejtës kushtetuese për të protestuar dhe akteve të dhunshme.
Kreu i qeverisë bëri me dije se po punohet si për adresimin e kërkesave sociale, ashtu edhe për marrjen e masave të reja ligjore për garantimin e rendit publik, mbështetur në modelin e vendeve si Italia dhe Franca.
Gjatë fjalës së tij, Rama nëvizoi se liria për të shprehur pakënaqësitë është e pamohueshme, por qëllimi përfundimtar i çdo tubimi duhet të jetë dialogu me institucionet.
“Protesta është një e drejtë që askush nuk mund ta mohojë. Liria për të protestuar është një e drejtë që askush nuk mund ta diskutojë dhe që çdo shtet demokratik duhet ta garantojë. Dhe rruga e protestës paqësore është rruga që çon tek dialogu,” u shpreh ai.
Lidhur me këtë, kryeministri solli në vëmendje një bisedë telefonike me një pedagog të Universitetit të Mjekësisë, ku u diskutuan shqetësimet specifike që kishin nxjerrë një pjesë të akademikëve dhe studentëve në shesh.
Rama sqaroi se mjaft nga shqetësimet e ngritura ishin krejtësisht legjitime dhe mund të adresohen përmes tryezës së diskutimeve.
“Dhe dje kam pasur një bisedë miqësore telefonike me një pedagog të Universitetit të Mjekësisë (i njohur për qëndrimet e tij le të themi në anën tjetër të spektrit politik, por i ndjerë për profesionalizmin e tij), të cilit u mundova t’i them që një protestë bëhet për t’u dëgjuar.
Njeriu proteston kur ka ndjesinë që nuk po e dëgjon kush për atë që ai sheh të nevojshme. Pra, një protestë bëhet për t’u ulur në tryezë. Një protestë nuk bëhet për të përmbysur qeverinë apo për të përmbysur shumicën qeverisëse me dhunë.
Natyrisht kur kjo protestë nuk është protestë e një partie politike, po është protestë e një segmenti qytetar, atëherë kuptimi i saj është të ulemi dhe të bisedojmë.
Dhe e pyeta çfarë problematikash shikoni ju që ju bëjnë që të bëni pjesë e këtij grupi relativisht shumë të vogël, krahasimisht me gjithë studentët dhe pedagogët, që vjen këtu poshtë dritares sime?
Dhe arsyet që më tha ishin të gjitha arsye që lidheshin me gjëra specifike në Spitalin Universitar, krejt legjitime dhe prandaj i thashë, po mirë, ne ulemi, diskutojmë dhe i shohim se si mund t’i çojmë përpara”, deklaroi Rama.
Ndërsa u ndal te përgjigja institucionale, Rama u shpreh se po punohet në dy drejtime kryesore, mbështetjen sociale për shtresat që përballen me rritjen e kostos së jetesës dhe forcimin e kuadrit ligjor për sigurinë publike.
“Në anën e sigurisë, në anën e garantimit të gjithë liri e të drejtave, ne po ashtu në bashkëpunim dhe me partnerët tanë dhe duke parë dhe hapat që ata hodhën në Itali dhe në Francë, do të dalim shumë shpejt me propozime dhe me masa shumë konkrete,” deklaroi ai.
Duke folur për protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit pranë zyrës së tij, Rama hodhi poshtë pretendimet për indiferencë nga ana e qeverisë, duke zbuluar se ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të ftuar përfaqësuesit në bisedime, por këto tentativa janë refuzuar për shkak të presionit të brendshëm dhe ndikimit të grupeve radikale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




