23 të lënduar nga protesta e djeshme në Tiranë, MSH: I plagosuri në sy iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, vijojnë konsultat për vijimin e trajtimit

Aktualitet | 2 orë më parë

Ministria e Shëndetësisë ka informuar se 23 persona kanë marrë ndihmë mjekësore pas protestës së zhvilluar dje në Tiranë, mes tyre protestues, efektivë policie, përfaqësues të medias dhe një deputet i Kuvendit.

16 persona janë paraqitur në Spitalin Universitar të Traumës, ku 12 prej tyre janë protestues, dy përfaqësues të medias dhe dy efektivë policie. Mes protestuesve të lënduar është edhe i riu që u lëndua në sy me plumb gome, i cili i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente gjatë ditës së djeshme.

Për gjendjen e tij, ministria bën me dije se gjatë ditës së sotme do të zhvillohet një konsultë e zgjeruar me një ekip të përbashkët specialistësh nga Spitali Universitar i Traumës dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për të përcaktuar vijimësinë e trajtimit.

Ndërkohë, në QSUT kanë marrë ndihmë mjekësore 5 persona: një deputet, një protestues, dy efektivë policie dhe një përfaqësues i medias. Sipas ministrisë, të gjithë kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe janë larguar nga ambientet e spitalit.

Dy efektivë të tjerë të policisë janë paraqitur në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 në Tiranë, ku kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe më pas janë larguar.

Ditën e djeshme Tirana u përfshi për më shumë se 6 orë nga një protestë e dhunshme, e cila kulmoi me përplasje fizike mes protestuesve dhe policisë si përdorim e molotovëve, mjeteve piroteknike, ujit dhe gazit lotsjellës, si dhe plumbave të gomës.

Protestuesit e maskuar përdorën bomba Molotov, lëndë piroteknike, gurë, shufra dhe laser shpërqendrues, ndërsa Policia e Shtetit u kundërpërgjigj me ujë me presion, plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat e dhunshme.

Gjatë protestave u regjistruan dhe dëme materiale e dëmtim të pronës publike e private në disa rrugë të Tiranës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme