Paketa ligjore kundër dhunës në protesta, Rama: Shteti do të dëmshpërblejë bizneset e dëmtuara deri në 100% të dëmeve

Politikë | 1 orë më parë

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se bizneset e dëmtuara gjatë protestave do të përfitojnë mbështetje financiare nga shteti, me mbulim nga 70% deri në 100% të dëmeve materiale, në varësi të kritereve të përcaktuara.

Sipas Ramës, skema e dëmshpërblimit do të përfshijë bizneset me xhiro vjetore deri në 140 mijë euro, ndërsa niveli i mbulimit do të ndryshojë sipas madhësisë së subjektit.

Për bizneset më të vogla, shteti do të mbulojë 100% të dëmeve, ndërsa për ato më të mëdha mbulimi do të jetë deri në 70%.

“Dëmshpërblimi për bizneset e vogla do të ofrohet si mbështetje financiare për subjektet e dëmtuara gjatë protestës. Shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve materiale për bizneset më të vogla, deri në 70% për ato më të mëdha, sipas kritereve të përcaktuara qartë dhe brenda fashës së bizneseve me xhiro vjetore deri në 140 mijë euro. Në këtë mënyrë, bizneset që kanë depozituar aplikimet e tyre nuk do të duhet të presin me vite për dëmshpërblimin”, tha Rama.

Rama paralajmëroi gjithashtu se personat përgjegjës për aktet e dhunës, gjatë të cilave janë dëmtuar apo djegur biznese, do të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara. Në rastet kur autorët janë të mitur, sipas tij, pagesa e dëmeve do të mbulohet nga familjet e tyre.

“Ndërkohë, personat që u përfshinë në aktet e dhunës, gjatë të cilave u thyen dhe u dogjën biznese, do të paguajnë pjesën që u takon për dëmet e shkaktuara. Në rastet kur dëmi shkaktohet nga të miturit, përgjegjësia për pagesën do të bjerë mbi familjet e tyre”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme