Teknologjia lehtëson aplikimet për pensione, ISSH Shkodër: Të gjitha aplikimet mund të kryhen online

Aktualitet | 2 orë më parë

Shërbimet online pa pagesë kanë lehtësuar ndjeshëm procedurat për aplikimin për pension, duke reduktuar nevojën për paraqitjen fizike të qytetarëve pranë institucioneve.

Në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Shkodër, shërbimet ofrohen tashmë përmes platformave elektronike, ndërsa interesi i qytetarëve për përdorimin e tyre është në rritje. Ndërkohë, pranë sporteleve të institucionit ofrohet edhe asistencë për qytetarët që kanë nevojë për ndihmë gjatë aplikimit.

“Të gjitha aplikimet për sigurimet shoqërore kryhen online dhe mënyra e aplikimit është mjaft e thjeshtë. Çdo aplikim mund të zgjasë rreth pesë deri në dhjetë minuta, edhe në rastet më të ndërlikuara. Nëse qytetari nuk arrin të bashkëngjisë dokumentacionin elektronikisht, ai mund ta vendosë dokumentacionin fizik në një zarf dhe ta dërgojë me postë”, u shpreh Violeta Staka, drejtuese e ISSH-së Shkodër.

Një tjetër lehtësi për aplikimet për pension pleqërie është përfshirja në sistem e dokumentacionit të ish-kooperativave bujqësore dhe ndërmarrjeve shtetërore të periudhës para viteve ’90.

“Ne administrojmë një numër të konsiderueshëm sistemesh. Kemi sistemin e ish-ndërmarrjeve shtetërore, por edhe sistemin online të derdhjes së kontributeve që nga viti 2012 e në vazhdim. Kjo na jep mundësinë të kontrollojmë të dhënat për çdo person që aplikon për pension”, tha Staka.

Për të lehtësuar aksesin në shërbimet elektronike, veçanërisht për të moshuarit dhe personat që hasin vështirësi në përdorimin e teknologjisë, Bashkia Shkodër ka ngritur një zyrë të posaçme për asistimin e qytetarëve në kryerjen e procedurave online përmes portalit e-Albania.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme