Dita e 13-të e protestës, protestuesit mblidhen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Protesta vijon për të 13-ën ditë në Tiranë, ku studentë, të rinj dhe qytetarë janë mbledhur fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit dhe më pas kanë marshuar drejt Kryeministrisë.
Protestuesit kanë refuzuar sërish ftesën për dialog nga kryeministri Edi Rama, duke vijuar të kërkojnë largimin e tij nga detyra. Gjatë tubimit, sipas gazetares së RTSH-së, Keti Toroveci, protestuesit kanë thyer dhe u kanë vënë flakën karrigeve të vendosura përpara godinës së Kryeministrisë si ftesë për dialog.
Më herët, grupet e para të studentëve u mblodhën përpara Ministrisë së Arsimit, ku ishte vendosur edhe një kordon policie për monitorimin e situatës. Gjatë grumbullimit, në kor u dëgjuan thirrjet “Dorëheqje” dhe “Revolucion”.
Në orët e para të protestës, situata përpara ministrisë paraqitej e qetë dhe nuk raportoheshin incidente apo përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Për shkak të numrit të pjesëmarrësve, qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor u ndërpre.
Ministria e Arsimit ka qenë një nga pikat kryesore të grumbullimit të studentëve gjatë ditëve të fundit. Në protestat e mëparshme janë regjistruar edhe episode dhune, përfshirë hedhjen e gurëve dhe djegien e zyrave të institucionit.
Një ditë më parë, protesta në Tiranë u shoqërua me kaos dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, ku pati të lënduar nga të dyja palët.
Pavarësisht tensioneve të ditëve të fundit, studentët dhe të rinjtë vijojnë protestën, duke këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke refuzuar dialogun me të.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



