Zgjedhjet në Serbi/ BE-ja uron Listën Studentore: Jemi të gatshëm të mbështesim reformat

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë uruar Listën Studentore për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke shprehur gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të mbështetur reformat dhe rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në BE.
Dy zyrtarët e lartë evropianë reaguan përmes një postimi në rrjetin social X, ku vlerësuan pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje dhe theksuan rëndësinë e reformave demokratike për të ardhmen e Serbisë.
Costa dhe von der Leyen nënvizuan se institucionet evropiane janë të gatshme të bashkëpunojnë me Serbinë për forcimin e sundimit të ligjit, garantimin e lirisë së medias, luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.
“Sot, populli i Serbisë doli në numër rekord për të formësuar të ardhmen e vendit të tyre. Urime Listës Studentore për fitoren e saj në zgjedhjet parlamentare. Ne jemi të gatshëm të mbështesim reformat në sundimin e ligjit, lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe institucionet e forta demokratike, si dhe të punojmë së bashku për të ndërtuar të ardhmen e Serbisë në Bashkimin Evropian”, thuhet në mesazhin e tyre.
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve publikoi pak më parë rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare, sipas të cilave Lista e Studentëve kryeson me 52.19% të votave, ndërsa lista e presidentit Aleksandar Vuçiç renditet e dyta me 39.52%. Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (REK) në Serbi ka njoftuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, bazuar në përpunimin e të dhënave nga 7,926 qendra votimi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




