AI dhe dezinformimi, tryezë diskutimi me përfaqësues të medias dhe të rinj në Korçë
Zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe rreziku i përhapjes së informacionit të rremë ishin në fokus të një tryeze diskutimi të zhvilluar në Korçë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të medias lokale dhe të rinjve. Takimi u organizua nga LIBURNETIK, në kuadër të projektit “Mes Klikimeve dhe të Vërtetës”, mbështetur nga Autoriteti i Mediave Audiovizive.
“Ajo që duam të sjellim pikërisht në këtë projekt, përmes organizatës profesionale, është përfshirja e të rinjve dhe një pikëpamje paksa ndryshe mbi atë se çfarë janë në të vërtetë teknologjitë e reja dhe sa ndikojnë ato në marrjen e informacionit real dhe të besueshëm”, u shpreh Kreshnik Lako, Drejtor i organizatës LIBURNETIK.
Nisma synon të mbledhë propozime konkrete për verifikimin e informacionit, përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale dhe forcimin e besimit të publikut te media.
“Përveç një pyetësori që kemi zhvilluar online me mbi 500 të rinj dhe të interesuar për botën e inteligjencës artificiale dhe medias online, do të organizojmë edhe fokus-grupe në qytete të ndryshme, për të mbledhur më shumë të dhëna. Më pas, do të përgatisim një botim zyrtar, i cili do të shpërndahet si produkt përfundimtar i këtij projekti”, tha Brixhilda Deda, Përgjegjëse e sektorit të projekteve.
Diskutimet u përqendruan te verifikimi i imazheve dhe videove të manipuluara, transparenca në përdorimin e inteligjencës artificiale dhe nevoja për politika të qarta në redaksi. Takime të ngjashme do të zhvillohen edhe në qytete të tjera të vendit, me synimin për të hartuar rekomandime praktike për median, institucionet dhe publikun.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




