Aksidentet rrugore rriten me 10% në 7 muajt e parë të vitit. INSTAT: 235 viktima e të plagosur në korrik, Tirana me numrin më të lartë

Aksidentet rrugore kanë shënuar rritje gjatë muajit korrik 2026, ndërsa të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë një rritje të numrit të aksidenteve me 10% gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, krahasuar me periudhën me një vit më parë.
Sipas të dhënave, në korrik 2026 janë regjistruar 165 aksidente rrugore, në të cilat kanë mbetur të vrarë ose të plagosur 235 persona. Në të njëjtin muaj të vitit të kaluar ishin regjistruar 131 aksidente dhe 194 persona të vrarë apo të plagosur.
Rritja bëhet edhe më e dukshme në bilancin e periudhës janar-korrik 2026. Në këtë periudhë janë regjistruar 844 aksidente rrugore, nga 767 që ishin shënuar në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo përbën një rritje prej rreth 10%.
Edhe numri i personave të vrarë dhe të plagosur është rritur. Në shtatë muajt e parë të vitit 2026 janë regjistruar 1,187 persona të vrarë ose të plagosur, kundrejt 1,077 në janar-korrik 2025.
Tirana me numrin më të lartë të aksidenteve
Të dhënat sipas qarqeve tregojnë se Tirana vijon të ketë numrin më të lartë të aksidenteve. Vetëm gjatë korrikut, në qarkun e Tiranës janë regjistruar 59 aksidente, ndërsa pas saj renditen Fieri me 20, Vlora me 12, Korça me 12, Durrësi me 15 dhe Gjirokastra me 15.
Në periudhën janar-korrik 2026, Tirana regjistron 336 aksidente, nga 219 në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Ndër qarqet e tjera, rritje të numrit të aksidenteve gjatë shtatë muajve të parë shënohen në Fier, Durrës, Kukës, Lezhë dhe Vlorë, ndërsa në disa qarqe të tjera numri është ulur krahasuar me një vit më parë.
Një tjetër tregues shqetësues lidhet me shkaqet e aksidenteve. Sipas INSTAT, gjatë korrikut 90,3% e aksidenteve rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.

Grupmosha 25-34 vjeç paraqet numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 21,8% të numrit total të aksidenteve të regjistruara gjatë muajit korrik.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se dita e javës me numrin më të lartë të aksidenteve është e enjtja, me 18,8% të totalit. Në krahun tjetër, numri më i ulët i aksidenteve është regjistruar të martën, me 12,1%.
Për sa i përket orarit, periudha 19:00-24:00 rezulton më problematikja. Në këtë hark kohor janë regjistruar 25,5% e të gjitha aksidenteve rrugore të muajit korrik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



