Aksidenti tragjik me 16 të vdekur në Shkup, 39 vite burg për të akuzuarit

Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar të enjten me 39 vjet burgim, gjashtë personat e akuzuar për një aksident me autobus më 2019 në afërsi të Laskarcit të Gostivarit, si pasojë e të cilit patën vdekur 16 persona.
Shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski, është dënuar me 14 vjet burgim, ndërsa pronari i kompanisë “Durmo Tours”, Durmish Beluli, është dënuar me katër vjet burgim.
Në atë që njihet si tragjedia “Llaskarca”, humbën jetën 16 persona dhe u lënduan 30 të tjerë.
Masa më e lartë efektive u dha ndaj shoferit Manoil Trifunovski, ndërsa më e ulët ndaj pronarit të kompanisë Durmo Turs, Durmish Beluli.
Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, bëhet e ditur se ndaj të akuzuarve të tjerë u shqiptuan dënime me burg nga 4 dhe 5 vite, përkatësisht për të punësuarit në kontrollin teknik të kompanisë.
Gjykata i caktoi edhe masën e ndalesës prej 5 viteve për kryerje të veprimtarive profesionale nga natyra e transportit publik dhe kontrollit teknik.
Prokurori Darko Jakimovski tha se do ta shqyrtoj mundësinë e ankesës ndaj lartësisë së dënimit ndaj pronarit të kompanisë “Durmo Turs”.
“Sigurisht që do ta shqyrtojmë vendimin dhe lartësinë e dënimit sepse vlerësojnë se hallkë shumë e rëndësishme e ngjarjes penale është pronari i kompanisë”, deklaroi Darko Jakimovski, Prokuror i rastit.
Familjarët e viktimave nga aksidenti u ankuan për masat e dhëna të dënimeve.
“Në historinë e Gostivarit nuk ka pasur një tragjedi të tillë. Si mund të jemi të kënaqur ndaj 5 të akuzuarve të parë. Konsideroj se dënimet janë minimale”, u shpreh Bllagojçe Tërpevski, familjar.
Tragjedia në Llaskarcë ndodhi më 13 shkurt të vitit 2019.
Nga aksidenti i autobusit të “Durmo Turs” jetën e humbën 16 persona, ndërsa 30 persona të tjerë u lënduan. Procesi gjyqësor u zvarrit 5 vite duke bërë obstruksione ndaj procedurave, ekspertizave dhe dëshmive materiale. Në dy momente rrezikoi rikthimi i tij nga fillimi.
Pas vendimit të plotfuqishëm, të dëmtuarit dhe familjet e viktimave kanë të drejtë që në procedurë qytetarë të kërkojnë dëmshpërblimin nga kompania, përkatësisht nga të akuzuarit për këtë rast.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




