Akuzat për protestën, Balla i kujton opozitës 8 janarin: Krahu i Berishës me varre e çekiçë, ai i Bashës me gaz lotsjellës
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i është përgjigjur akuzave të opozitës për dhunë ndaj protestuesve në tubimin e 24 janarit, duke i kujtuar ngjarjet e 8 janarit.
Ai solli në vëmendje njoftimin e Policisë së Shtetit pas asaj ngjarjeje, ku u raportua se 34 persona u arrestuan për dhunë.
Duke mbrojtur veprimet e Policisë, ai theksoi se meriton respekt për detyrën e kryer në mbrojtje të institucioneve.
“Gjatë muajve janar mirë është të mos përdorni fjalën protestë dhe dhunë se çdo shqiptari i vjen në memorie 8 janari i 2022, ku disa prej jush në këtë sallë luftonin kundër disa prej jush në këtë sallë. Kujtoj më pas njoftimin e Policisë që u arrestuan 34 qytetarë për dhunë, 18 të krahut të Sali Berishës, 16 të Lulzim Bashës. Krahu i Sali Berishës akuzohej se kishin përdorur varre, shkallë, leva, çekiçë, trapanë. Nga krahu i Lulzim Bashës është përdorur gaz lotsjellës, thuhej në atë njoftim. Policia e Shtetit meriton respekt për detyrën që ka bërë për të mbrojtur institucionet”, theksoi Balla.
Ai u përplas verbalisht me kreun e grupit Pprlamentar demokrat, Gazment Bardhi, teksa tha se PD duhet të distancohet nga dhuna. Ndër të tjera, Balla tha se Bardhi ka firmosur kallëzim penal për nënkryetarin e grupit të PD-së.
“Kjo Parti politike duhet të distancohet nga dhuna kundër institucioneve. Kjo parti politike duhet të mbajë përgjegjësi për këtë lloj inspirimi. Ti ke bërë kallëzimi për Belind Këlliçin, për Edmond Spahon për kongresin madhështor të dhjetorit të 2021. Kryetar grupi që ka çuar për ndjekje penale nënkryetar grupi”, tha Balla.
Nga karrigia në sallën e Kuvendit, Bardhi e mohoi një gjë të tillë, duke i konsideruar si “gënjeshtra”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




