Alergjitë stinore, në Tepelenë më të prekur fëmijët. Mjeku pneumolog: Shmangni ekspozimin ndaj poleneve
Gjatë kësaj periudhe në qytetin e Tepelenës ka pasur një shtim të rasteve me alergji stinore, duke prekur kryesisht personat me ndjeshmëri ndaj poleneve dhe ndryshimeve sezonale. Sipas pneumologut Dr. Shahin Meçe, më të prekur kanë qenë fëmijët, por nuk janë prekur vetëm ata, pasi edhe grupmoshat e tjera nuk kanë mbetur jashtë. Sipas mjekut, kjo është një periudhë ku pacientët ankohen më shpesh për simptoma si bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes, teshtima të shpeshta, kruarje dhe skuqje të syve.
“Ka pasur raste të shtuara gjatë kësaj periudhe me alergji, rinit alergjik, urtikarie të gjeneralizuara dhe dermatite alergjike. Pra, kemi pasur raste të tilla gjatë kësaj periudhe. Në përgjithësi ka prekur të gjitha moshat, shfaqet te fëmijët, por janë shfaqur edhe te moshat e rritura”, deklaroi mjeku pneumolog Shahin Meçe.
Për të shmangur përkeqësimin e gjendjes, Dr. Shahin këshillon që pacientët të tregojnë kujdes të veçantë, duke shmangur ekspozimin e tepërt në natyrë gjatë ditëve me përqendrim të lartë poleni, si edhe të mbajnë gjithmonë me vete mjekimin e rekomanduar nga mjeku, etj.
“Duhet të tregohen më të kujdesshëm në daljet e tyre, sidomos në vendet ku ka përqendrim të lartë poleni, dhe në momentet kur gjendja rëndohet është mirë që të kërkojnë ndihmën mjekësore për të marrë trajtim”, shtoi mjeku pneumolog.
Ndërsa ajrosja e ambientit në orët e duhura dhe ruajtja e higjienës personale mund të ndihmojnë në minimizimin e simptomave, pohon Dr. Shahin Meçe.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





