Aparat “DEXA” në Spitalin e Gjirokastrës, ekzaminime më të shpejta e të sakta për densitetin kockor
Në Spitalin Rajonal “Omer Nishani” është vënë në funksion aparatura DEXA. Ky shërbim i ri, që synon përmirësimin e shëndetit të banorëve të jugut, konsiderohet mjaft i rëndësishëm nga mjekja reumatologe, Vjollca Koka, për të mbajtur nën kontroll shëndetin e skeletit, i cili luan një rol të rëndësishëm në mirëqenien e përgjithshme të individit.
“Ajo jo vetëm që bën matjen e densitetit kockor në pjesën e mesit të shtyllës kurrizore dhe në të dy artikulacionet kocko-femurale, por edhe e gjithë diagnoza, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbështetet në këto rezultate. Përveç këtyre, në raste kur një person mund të ketë thyer këmbën apo dorën, aparatura mundëson gjithashtu edhe matje periferike rajonale,” u shpreh mjekja reumatologe, Vjollca Koka.
Kjo aparaturë bashkëkohore është e nevojshme jo vetëm për mjekët reumatologë.
“Është e rëndësishme edhe për pacientët që janë nën mjekim afatgjatë, flasim për pacientët me diabet, ata me sëmundje inflamatore, pacientët me tension që përdorin ilaçe për një kohë të gjatë, por edhe për ata që abuzojnë. Në profesionin tim, është veçanërisht e domosdoshme dhe për pacientët e mi që marrin kortizon,” theksoi mjekja.
Me rikonstruksionin e godinës, spitali i Gjirokastrës pret të pajiset me të tjera aparatura në shërbime të ndryshme, të cilat do të lehtësojnë bluzat e bardha në diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme për të cilat pacientët i drejtohen kryeqytetit apo dhe klinikave private.
Gazetare: Yllka Ponde
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




