Apeli i GJKKO lë në fuqi konfiskimin e apartamentit të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja

Aktualitet | 9 muaj më parë

Apeli i GjKKO, ka lënë në fuqi vendimin për konfiskimin e apartamentit 60 m2, të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Pasuria në fjalë ishte regjistruar në emër të një shtetasi tjetër, ndërsa konfiskimi i këtij apartamenti u bë më 24 prill 2025, nga shkalla e parë e GjKKO me kërkesë te SPAK.

Akuzat ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese

Gjykata e Posaçme e dënoi me 6 muaj burg ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetueses, Bashkim Dedja. Ai u akuzua për fshehje të pasurisë, por dënimi iu konvertua në 1 vit shërbim prove. Prokuroria kishte kërkuar 1 vit burg për Dedjan, por Gjykata dha dënimin me 6 muaj.

Bashkim Dedja ishte i pari nga ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët e shkarkuar nga vetingu që u dënua nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit. Ish-kryegjyqtari e kaloi shkallën e parë të vetingut, por ishte shkalla e dytë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që e rrëzoi atë duke e larguar nga detyra dhe drejtësia, ndërsa të tjerë ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të shkarkuar nga vetingu mbeten ende nën hetim.

SPAK e akuzoi Dedjan se kishte fshehur në deklarimin e tij një apartament me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem, Kavajë. Sa i takon këtij apartamenti, Dedja ka thënë se është i vëllait të tij dhe thjesht e ka pasur në përdorim, por ky pretendim nuk e bindi Prokurorinë.

Sipas akuzës, Dedja ka kryer deklarim të rremë të një apartamenti me sipërfaqe 146 m2 në Tiranë lidhur me një hua 10 mijë euro të marrë nga kunati i tij. SPAK thekson se nga hetimi, huadhënësi rezultoi në pamundësi për dhënien e kësaj shume.

Bashkim Dedja akuzohej edhe për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rreme dhe të fshehjes, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme