Frika e prindërve për vaksinën MMR, mjekët apelojnë për kryerjen e vaksinës: “Mbron shëndetin e fëmijës”
Shumë fëmijë të moshës 1 dhe 5 vjeç ende nuk e kanë kryer vaksinimin apo rivaksinimin MMR.
Kjo vaksinë i mbron fëmijët nga fruthi, shytat dhe rubeola, dhe është një nga vaksinat më të rëndësishme të fëmijërisë, pasi siguron mbrojtje të trefishtë kundër këtyre sëmundjeve ngjitëse. Përfitimi i vaksinës është shumë i madh, pasi parandalon shpërthimet e fruthit, shytave dhe rubeolës, sëmundje që mund të kenë pasoja serioze për shëndetin e fëmijëve dhe komunitetit.
Megjithatë, frika se kjo vaksinë shkakton autizëm i ka frenuar nënat që t’ua aplikojnë fëmijëve të tyre.
“Pavarësisht se puna jonë është e madhe, prapë kemi neglizhencë nga prindërit. Ata thonë që ‘do të vaksinohemi më vonë, kur ta shikojmë fëmijën tonë që të ngrihet në këmbë, të ecë, të thotë disa fjalë’. Nuk arrijmë edhe ne t’ua mbushim mendjen prindërve. Kemi raste që kanë fëmijë autikë dhe i refuzojnë edhe për fëmijët e tjerë.
[Ka prindër që e kryejnë vaksinën në kohën e duhur?] Një pakicë, po. Ndërsa të tjerët e shtyjnë. Pas 15 muajve…” tregon infermierja Bianka Sherko.
Vaksina MMR jepet me injeksion shpesh në krah ose kofshë dhe tolerohet mirë nga shumica e fëmijëve.
Reaksionet anësore janë të lehta dhe të përkohshme, si skuqje ose ënjtje në vendin e aplikimit, temperaturë e lehtë apo irritim, që kalojnë brenda pak ditësh.
Aplikimi i vaksinës MMR është një hap i rëndësishëm për të garantuar mbrojtjen afatgjatë të fëmijëve dhe për të kontribuar në imunitetin kolektiv.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




