Arben Taravari largohet nga qeveria, Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kalon në opozitë 

Maqedonia e Veriut | 1 vit më parë

“Presidenca qendrore dhe kryetarët e degëve vendosën që të kalojmë në opozitë”, kështu deklaroi Arben Taravari pas mbledhjes së kryesisë së Aleancës për Shqiptarët, duke konfirmuar zyrtarisht se partia shqiptare po largohet nga koalicioni qeverisës në Maqedoninë e Veriut.

Duke renditur disa nga arsyet që çuan në atë vendim, Taravari përmendi kritikat e qytetarëve shqiptarë nga mosrealizimi i ndryshimeve të premtuara si dhe mosbesimi mes partnerëve të koalicionit.

“Nuk i realizuam ndryshimet që i kishim premtuar dhe qytetarët me të drejtë na kritikojnë për këtë. Prandaj vendosëm të kthehemi tek qytetari dhe t’i kërkojmë sërish besimin në zgjedhjet lokale të tetorit. Konstatuam se, nëse brenda Qeverisë ka mungesë besimi, atëherë duhet të largohemi prej saj”, tha Taravari.

Taravari theksoi se pakënaqësia mes elektoratit shqiptar është e madhe, sidomos për shkak të “Balancuesit”, mekanizmit që rregullon përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut, por edhe bllokimit të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian.

Ndërkohë zv/kryeministri, njëherësh një nga liderët e koalicionit VLEN në bashkëqeverisje, Izet Mexhiti tha se Taravari nuk e ka braktisur Qeverinë, por e ka tradhtuar atë.

“Ti nuk solle ndryshim. Ti nuk po kthehesh tek populli. Ti po kthehesh tek lista e zezë. Ti nuk po e lë Qeverinë. Ti e tradhtove Qeverinë”,– u shpreh Mexhiti.

 “Taravari asnjëherë nuk ka biseduar as për ligjin e gjuhëve, as për zgjidhje ligjore të balancuesit dhe as për integrimin evropian.” – deklaroi VMRO-DPMNE.

Ndërsa vetë kryeministri Hristjan Micoski deklaroi se Qeveria është e qëndrueshme dhe me shumicë të madhe me apo pa Taravarin.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme