Aritmitë e zemrës, faktorët e rrezikut dhe mundësitë e trajtimit

Shëndet | 56 minuta më parë

Aritmitë janë çrregullime të ritmit të zemrës, të cilat mund të shfaqen me rrahje të shpejta, të ngadalta ose të çrregullta. Njohja e simptomave dhe diagnostikimi në kohë janë të rëndësishme për parandalimin e komplikacioneve.

“Aritmia do të thotë që zemra nuk punon me një ritëm të rregullt. Për të përcaktuar një aritmi, duhet të regjistrohet një elektrokardiogramë (EKG). Kemi edhe aritmi të fshehta, të cilat mund të zbulohen me anë të një aparati që vendoset në trupin e njeriut për 24 ose 72 orë. Aritmitë mund të shkaktohen nga sëmundjet e zemrës, por edhe nga sëmundje të tjera, siç janë sëmundjet e tiroides, për shembull hipertiroidizmi ose hipotiroidizmi, si dhe anemia, përdorimi i tepërt i kafeinës dhe stresi”, u shpreh Luljeta Allaraj, Kardiologe dhe hemodinamiste.

Në varësi të llojit dhe shkakut, aritmia mund të ketë pasoja të ndryshme, ndërsa trajtimi përcaktohet sipas gjendjes së pacientit.

“Nëse një pacient ka një aritmi që zgjat më shumë se dy ose tre minuta dhe që shkakton marramendje, të vjella ose humbje të ndjenjave, bëhet fjalë për aritmi që mund të rrezikojnë jetën e njeriut. Hapat e parë në trajtimin e aritmive janë mjekimi me ilaçe. Nëse aritmia nuk arrin të kontrollohet me anë të ilaçeve, atëherë kalohet te ablacioni, një procedurë që synon të eliminojë zonën e zemrës nga e cila shkaktohet aritmia”, tha ajo.

Kontrollet mjekësore dhe diagnostikimi në kohë ndihmojnë në identifikimin dhe menaxhimin e aritmive, duke ulur rrezikun e komplikacioneve.

Gazetare: Blerta Cina

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme